E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e oficerit të SHISH, hetim nga e para në Tiranë

TIRANE - Prokuroria e Krimeve të Rënda do t’i zhvillojë nga e para hetimet për vrasjen e oficerit të SHISH në Durrës, Isa Çopa. Pak ditë më parë kjo prokurori ka marrë në dorëzim dosjen penale të vrasjes së oficerit, pasi Prokuroria e Durrësit shpalli moskompetencën e saj në hetimin e çështjes.

Grupi i hetimit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda fillimisht ka bërë një analizë të materialeve të dosjes, dhe më pas ka vendosur që veprimet kryesore të hetimit të bëhen nga e para.

“Nga shqyrtimi i materialeve të ardhura nga Durrësi është vendosur që të kryhen edhe një herë nga e para të gjitha ato veprime që është e mundshme të ribëhen”, tha dje një burim nga grupi i hetimit. Sipas Prokurorisë, pista kryesore e hetimit është ajo për shkak të detyrës. Transferimi i dosjes ende pa autor të vrasjes së Isa Çopës te Krimet e Rënda u urdhërua nga prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla më se një muaj më parë.

Ky urdhër u dha pas një analize të mbajtur në Prokurorinë e Përgjithshme në lidhje me ecurinë e hetimeve që ishin zhvilluar për vrasjen e zyrtarit të SHISH në Durrës.

Oficeri i kundërzbulimit në Drejtorinë e Shërbimit Informativ në Durrës, Isa Çopa, u gjet i vdekur në makinën e tij “Opel Corsa” më 24 tetor 2011. Ngjarja ende e pazbardhur ndodhi në zonën e Currilave.

(er.nu/panorama/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›