E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e palestinezit, policia: 10 mijë dollarë për gjetjen e vrasësit

TIRANE - Kur kanë kaluar gati dy javë nga vrasja e mistershme e shtetasit palestinez, Anwar Rizik, nuk ka ende asnjë autor për ngjarjen e rëndë.

Pavarësisht dëshmive të shumta të mbledhura dhe pamjeve filmike të një sërë kamerash që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes, ende nuk ka asnjë të dhënë konkrete që mund të çojë në identifikimin e personit që vendosi eksplozivin në derën e banesës së 43-vjeçarit.

Për këtë arsye, Policia e Tiranës vendosi një shpërblim prej 10 mijë dollarësh për të gjithë ata persona që kanë informacione të dobishme rreth autorit të shpërthimit të ndodhur më 5 maj, në derën e banesës ku jetonte palestinezi, i cili ishte zv/drejtor fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë.

“Theksojmë se në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë është ngritur një Grup i Posaçëm hetimor të cilët po punojnë intensivisht edhe me Drejtorinë për Krimet e Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje të rëndë kriminale.Njëherazi, falendojmë qytetarët, të cilët mbështesin dhe informojnë në kohë strukturat e policisë dhe i garantojmë në çdo rast ruajtjen e anonimatit, duke telefonuar në Nr. e kontaktit 129 ; Cel : 069 41 06 433 ; 069 41 00 751.”- bëri të ditur policia.

Dëshmia e bashkëshortes
Në dëshminë e saj, bashkëshortja e viktimës, Elda Rizik (Ferracaku) mësohet të jetë shprehur se bashkëshorti i saj nuk ka pasur asnjë konflikt dhe asnjë problem që mund të sillte këtë gjë. E pyetur në lidhje me ngjarjen, 33-vjeçarja ka deklaruar se si çdo mëngjes, bashkëshorti i saj ka dalë për të shkuar në punë. Rreth orës 07:30 ai ka zbritur dhe ka qenë i shoqëruar me djalin e madh, ndërsa djali i vogël së bashku me bashkëshorten kanë qenë duke mbyllur derën e banesës në katin e dytë. Ajo deklaron se vetëm pak sekonda më pas ka dëgjuar një zhurmë të madhe dhe kur ka dalë jashtë, ka parë e tmerruar bashkëshortin e saj të shtrirë në tokë dhe të mbuluar nga gjaku.

E pyetur në lidhje me probleme ose shqetësime që bashkëshorti i saj mund të ketë pasur gjatë ditëve të fundit, 33-vjeçarja i ka mohuar kategorikisht, duke u shprehur se ai ishte si gjithmonë shumë i qetë.

Hetimet
Grupi hetimor prej ditës kur ndodhi ngjarja kanë vijuar mbledhjen e dëshmive dhe studimin e pamjeve filmike të kamerave që ndodheshin përreth banesës së Anwar Rizik. Deri më tani në pyetje janë marrë një pjesë e drejtuesve të fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë, ku Rizik prej disa kohësh kishte postin e Zv.Drejtorit, si dhe të gjithë dëshmitarët që kanë parë momentin e shpërthimit.

Pavarësisht këtyre dëshmive, ende nuk ka asnjë gjurmë të autorit të mundshëm të kësaj vrasje. Nga ana tjetër, kamerat e sigurisë janë analizuar me hollësi dhe janë duke u identifikuar të gjithë personat që janë fokusuar prej tyre, të cilët më pas do të merren në pyetje.

Ndërkaq, edhe pse pa asnjë provë konkrete, pista kryesore ku janë fokusuar hetimet është ajo e konflikteve për shkak të postit të tij, pasi prej vitesh banorët e zonës ku ndodhet fabrika kanë pasur probleme me pronarët e saj.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›