E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tryeza per demokratizimin BE apel per plotesimin e reformave

Reformat dhe realizimi i tyre në kohë dhe me konsensus janë parësore për integrimin e vendit. Kështu u shpreh ambasadori i BE në vendin tonë, Ettore Sequi gjatë tryezës së organizuar për demokratizimin. Sipas tij procesi i integrimit kërkon domosdoshmërisht dialog mes mazhorancës dhe opozitës, ndaj duhet të zbatohet marrëveshja e nëntorit me opozitën.  Por në vlerësimin e ambasadorit Sequi, përveç reformave politike vëmendje duan dhe reformat në shëndetësi dhe arsim.  “Përqëndrimi tek disa reforma të kërkuara ku fokusohet politika, le mënjanë disa të tjera, sic është shëndetësia, arsimi. Kujtojmë se duhet të jenë reforma gjithëpërfshirëse”, vuri në dukje ambasadori i BE. Në gjykimin e tij, reformat në arsim dhe shëndetësore mbeten gjithmonë të papërfunduara, dhe kjo për shkak të jostabilitetit politik.  “Autorët e raportit kanë vënë re se reformat në arsim e shëndetësi janë të papërfunduara për shkak të jostabilitetit politik. Paqëndrueshmëria në politikë ka sjellë mos realizim të këtyre reformave”. Sipas tij, Shqipëria merr 470 mln Euro nga BE-ja, ndaj duhet të jetë e qartë se pjekuria politike në Shqipëri është kriter për në BE.
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani gjatë fjalës së tij në këtë tryezë vlerësoi faktin se integrimi i vendit ka të bëjë me një proces parapërgatitës dhe përshtatës. Njëkohësisht ministri Nishani garantoi vullnetin politik të mazhorancës qeverisëse për të plotësuar të gjitha rekomandimet e BE për integrimin. Në këtë kuadër, Nishani premtoi konsolidimin e mëtejshëm të sistemit të drejtësisë, si një nga kushtet për procesin integruese. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›