E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri ne mbledhjen e Keshillit te Atlantikut te Veriut

Kryeministri Berisha, Përpara nisjes së punimeve të Samitit, mori pjesë në pritjen zyrtare të kryetarëve tё shteteve dhe qeverive, nё McCormick Place, nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen dhe mikpritësi i Samitit Presidenti i SHBA-sё Barack Obama.
Mё pas, Kryeministri Berisha mori pjesё nё sesionin e hapjes së mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut (NAC). Para nisjes së tij, u përkujtuan me njё ceremoni ushtarake dhe një minutё heshtje ushtarakët e NATO-s të rënë në krye të detyrës, gjatë operacioneve të Aleancës një prej të cilëve është edhe kapiten Feti Vogli. Mbledhja e NAC (Këshillit të Atlantikut të Veriut) u hap me fjalën e Sekretarit tё Përgjithshëm tё NATO-s, Rasmussen dhe fjalёn pёrshёndetёse tё Presidentit Obama. Në takim morën fjalën një numër liderësh të vendeve anëtarë të Aleancës.
Në këtë sesion u dikutua për sfidat e sigurisë globale me të cilat përballet Aleanca, nevojën për të zhvilluar dhe modernizuar kapacitetet mbrojtëse në kushtet e një krize financiare globale dhe të shkurtimit të buxheteve. Në takim u theksua nevoja për rritje të eficencës së përdorimit të burimeve nëpërmjet bashkimit të resurseve dhe menaxhimit të përbashkët te tyre. Në takim u diskutua në lidhje me zhvillimin e doktrinës së Mbrojtjes së Zgjuar i cili është në qendër të modernizimit të NATO si dhe sistemeve përkatëse, mbrojtjen nga rreziku i sulmeve balistike nëpërmjet vendosjes së një sistemi të përkohshëm të mbrojtjes raketore, si dhe bashkëpunimi me partnerët e Aleancës anembanë globit. Në këtë kuadër u miratuan një numër projektesh shumëkombëshe që do mundësojnë arritjen e objektivave për një NATO të vitit 2020 me forca të mirëkoordinuara, të trajnuara dhe mirëpajisura për të përballuar sfidat e shekullit XXI.
Në përfundim të sesionit, liderët e Aleancës miratuan disa nga dokumentet më të rëndësishme të Samitit.
Dita e parë e Samitit të 25 të NATO-s që po zhvillohet në Cikago u mbyll me darkën që Presidenti i SHBA Barak Obama kishte organizuar për nder të kryetarëve të shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse në Samit. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›