E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi: Rikandimi në Tiranë, megalomani dhe gafë e Ramës

02/12/2011  Kundërshtari i kreut të PS-së analizon situatën në parti nga retrospektiva në perspektivë

Partia Socialiste humbi zgjedhjet për shkak të mungesës së një vizioni të qartë dhe të propozimeve konkrete për një mirëqeverisje. Ky ishte konstatimi i ardhur nga deputeti i PS-së, Ben Blushi. I njohur si një nga kritikët e kryetarit, Edi Rama, në një interviste në Top Story, Blushi radhiti arsyet se përse PS ndodhet tashmë në opozitë, përfshirë këtu dhe humbjen e saj në shumicën e komunave në zgjedhjet lokale të 8 majit, si dhe humbjen e Bashkisë më të madhe siç është Tirana. Në analizën e tij, Blushi nuk kurseu si kritikat për shumicën qeverisëse, ashtu dhe për rrugën e ndjekur deri më tani nga lidershipi socialist në drejtimin e PS-së. Por në këtë intervistë, ndryshe nga deri më dje, deputeti Blushi u shpreh mjaft optimist për të ardhmen e PS-së, e kjo për shkak se në gjykimin e tij kreu i saj ka korrigjuar dhe ka ndryshuar shumë gjëra në mënyrën e drejtimin e kësaj partie. Ndërkohë që ndryshe nga më herët ku Blushi insistonte në një aleancë me LSI-në për të fituar në sfidat elektorale, aktualisht, ai e shikon të pafavorshme një lëvizje të tillë. Kjo për shkak se me pozicionet e shumta në të cilat shfaqet kjo parti nuk mund të sillte një aleancë të frytshme. Gjithashtu, për të ardhur nesër në pushtet, Blushi u propozoi socialistëve që “të mos shqetësohemi më se si të bëjmë kryetarin Rama dhe Kryeministër, por të punojmë për të kthyer besimin se Shqipëria mund të mirëqeveriset, duke dhënë dhe idetë përkatëse mbi këtë perspektivë”.

Marrëdhënia e re më Ramën

Deputeti, Ben Blushi një nga kritikët e kryetari Rama mohoi prezencën e një rivaliteti mes tyre. “Nuk kam rivalitet me Ramën, ai është kryetar, kam votuar në 2003, ku isha ministër i Nanos, i kam dhënë votën në 2005, në 2009 nuk kam votuar dhe e kam thënë publikisht arsyen, pasi humbja e zgjedhjeve, duhet të sillte dhe largimin e tij”, u shpreh Blushi, duke shtuar se “tashmë nuk ka rivalitet, sepse shumica e zgjodhi si kryetar dhe e pranoj mendimin e shumicës, e pranoj si kryetar”. Sipas tij, tashmë ka më pak tension se sa ka pasur. Njëkohësisht, duke shpjeguar arsyet e një riafrimi mes tij dhe Ramës, Blushi shpjegoi se “duke parë mënyrën sesi po vepron ka shumë ndryshim nga më përpara, por nga ana tjetër janë gjëra që unë i ja kam kërkuar, edhe ato gjëra që kam kërkuar po bëhen”. Ndërkohë që në vijim të këtyre arsyeve, Blushi shprehu vlerësimet e tij për zhvillimet në kongresin e ri të PS-së, i cili në vlerësimin e tij dha sinjale të qarta se tashmë PS po përgatitet për të ardhur në pushtet. “Kongresi i fundit mbushi një vakum, ku prezantoi disa ide mbi çështje mjaft të rëndësishme, që lidheshin me ekonominë, drejtësinë, e me radhë, ide që na kishin munguar për kohë. Ky ishte një kongres që tregoi se PS ka nisur të mendojë”, vlerësoi Blushi.

Rikandidimi në Tiranë

Në qendër të opinioneve të tij mbi mënyrën se si është drejtuar Partia Socialiste, deputeti Ben Blushi parashtroi arsyet se përse sot kjo parti ndodhet në opozitë. Kështu, duke u rikthyer në retrospektivë në sfidat elektorale, deputeti Blushi shigjetoi ashpër kreun e PS-së, Edi Rama. “Tirana ishte përfshirë në një depresion të futjes në sanduiç mes pushtetit qendror dhe atij lokal. Në kushte të tjera dhe të një koalicioni tjetër duhet të kishte marrë më shuam vota. Edi Rama nuk duhet të kishte kandiduar për disa arsye. Nëse ka ndonjë gafë politike ishte kandidimi i tij në Tiranë për herë të katërt”, vuri në dukje, Blushi, lidhur me garën për postin e kryebashkiakut. Madje, po në këtë linjë, deputeti socialist, shtoi se “ai e pa në 2009 që nuk kandidoi në lista të deputetëve dhe e përsëriti sërish duke lënë të kuptohet se bëj çfarë dua unë. Duke u futur aty në Tiranë për herë të katërt dhe pastaj edhe në vitin 2013 për zgjedhje parlamentare do të thotë që unë i bëj të gjitha. Por duhet të kuptojmë se ka ikur koha e atyre që i bëjnë të gjitha. Ideja se si e justifikoi ai hyrjen është megalomane. Çdo njeri zëvendësohet dhe ndoshta edhe më mirë kur ndodh”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›