Qëllon mbi fqinjin, më pas vret veten

DURRËS/ Muhamet Tusku është grindur me fqinjin e tij 35-vjeçar Aleksandër Zaimi dhe më pas e ka qëlluar
Të afërm të viktimës mohojnë ndonjë konflikt të vjetër mes dy familjeve, teksa ende nuk dihen shkaqet
DURRËS - Ka qëlluar me armë njeriun me të cilin ishte grindur dhe pastaj ka vrarë veten. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme, ndërsa personat e përfshirë në të janë 35-vjeçari Aleksandër Zaimi dhe 55-vjeçari Muhamet Tusku.
Sipas policisë, të dy fqinjët kishin mbërritur nga Librazhdi dhe kohët e fundit ishin përfshirë në një konflikt të cilësuar prej bluve "për motive banale". Dhe konflikti është mbyllur me një të plagosur rëndë dhe një të vetëvrarë në rrethinat e fshatit Rrushkull.
Përplasja ka ndodhur mes 55-vjeçarit Muhamet Tusku dhe 35-vjeçarit Aleksandër Zaimi, i cili është i shtruar në spital në gjendje shumë të rëndë pasi plumbi i ka përshkuar një pjesë të kraharorit. Mësohet se viktima ishte i ardhur në Durrës nga fshati Lunik i Librazhdit, ndërkohë që ishte babai i 4 djemve dhe një vajze adoleshente.
Ngjarja
Nga ana e policisë nuk është saktësuar konflikti që ka çuar në plagosjen e Zaimit dhe vetëvrasjen e Tuskut. Mësohet se ata kanë shkëmbyer llafe me njëri-tjetrin deri në fyerje dhe më pas 55-vjeçari, baba i 5 fëmijëve, ka qëlluar me një pistolete tip TT mbi Aleksandër Zaimin.
Një plumb i vetëm kalibër 7.62 mm e ka goditur fqinjin në shpatull, duke i depërtuar edhe në kraharor. Ai është shtrirë përdhe i gjakosur dhe agresori Tusku teksa e mendonte të vdekur shënjestrën e tij merr arratinë.
Pak minuta pas krimit ai thërret djalin, i cili e ndihmon për t'u larguar nëpërmjet një makinë të tipit "Volksvagen", pronë e tyre nga vendi i ngjarjes. Sipas policisë, ata kanë përdorur për t'u larguar mjetin me targa DR 3072 T.
Kur është larguar rreth 10 km nga vendi i ngjarjes, në kushte të tronditjes së rëndë psikike për krimin e kryer ndaj fqinjit, ai i ka thënë të birit që të largohej dhe pasi është futur në një banesë të braktisur ka qëlluar veten me plumb në kokë.
Banesa ku është vetëvrarë ndodhej në fshatin periferik të qytetit të Durrësit në Rrashbull. Fqinjët kur kanë dëgjuar krismën e armës kanë lajmëruar dhe pasi kanë parë brenda kanë konstatuar se një person i panjohur kishte vrarë veten.
Policia që ka ardhur menjëherë në vend ka konstatuar se viktima ishte personi që kishte qëlluar fqinjin, të cilin po e kërkonin. Po nëse ndaj fqinjit i qe dridhur dora, kur kishte qëlluar veten kishte qenë i saktë duke humbur jetën menjëherë.
Hetimi
Policia ka shoqëruar djalin e viktimës, si dhe ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale pistoletën e përdorur në skenën e krimit të tipit TT model 54. Po kështu është marrë në sekuestër edhe mjeti "Volksvagen" me të cilin 55-vjeçari është larguar nga skena e krimit të kryer drejt skenës tjetër të vetëvrasjes.
Policia mendon se "krimi ndaj fqinjit dhe bashkë me të edhe vrasja e ndërgjegjes për aktin që nuk mund të zhbëhej më e ka shtyrë agresorin t'i jepte fund jetës së tij. Ndërkohë hetuesit kanë shoqëruar në polici djalin 25-vjeçar të Muhamet Tuskut, i cili sipas hetimeve të deritanishme nuk ka gisht në atentatin ndaj Zaimit, sepse është lajmëruar nga i ati pasi ky i fundit ka kryer krimin.
Nga ana e të afërmve të 55-vjeçarit, deklarohet se ata nuk kanë pasur dijeni për ndonjë konflikt mes dy familjeve Tusku dhe Zaimi, teksa dyshohet për ndonjë konflikt të çastit.
Mësohet se Aleksandër Zaimi ndodhet i shtruar në spital në gjendje kritike për jetën. Të dyja familjet banonin në "Spitallë", zonë e ish-Kënetës. Policia ka deklaruar se i plagosuri ishte në gjendje shumë të rëndë për jetën dhe se nuk dihet fati i tij.