Vrasja e taksistit, Prokuroria rikërkon burg të përjetshëm

Taksisti i vrarë, Fredi Talelli
KORÇE – Një dënim me burgim të përjetshëm dhe 43 vjet burg është totali i dënimeve të kërkuara nga Prokuroria për 6 të pandehurit, të cilët akuzohen se grabitën dhe më tej vranë taksistin Fredi Talelli nga fshati Pilur i rrethit të Devollit. Pas rishqyrtimit të çështjes në Gjykatën e Faktit në Korçë ku në seancën e mëparshme është pranuar gjykimi i shkurtuar, prokurori i çështjes ka kërkuar të njëjtat dënime në lidhje me krimin tronditës të ndodhur në nëntor të vitit 2010. Burgim të përjetshëm ka kërkuar organi i akuzës për Elkiero Revanin dhe 25 vite burg për Arnest Xhaçkën si dy autorët dhe organizatorët kryesorë të krimit. 10 vite burg është dënimi i kërkuar për Kastriot Palekën dhe 8 të tilla për Domeniko Kumrinë. Po ashtu edhe Amarildo Selmani e Jurgen Zeqja janë përfshirë në pretencën e Prokurorisë, ku ndaj tyre është kërkuar që të dënohen me 4 muaj burg. Për shkak se kanë kërkuar edhe gjykimin e shkurtuar gjë që është pranuar nga gjykata, 6 të pandehurit përfitojnë një ulje të dënimit të tyre, ndërsa ndaj Xhaçkës dhe Paplekës do të ulet dënimi pasi janë në moshë të mitur. Në sallën e gjyqit kanë qenë prezentë familjarët e viktimës por edhe të të pandehurve, ndërsa mbrojtësit e të akuzuarve kanë kërkuar kohë për të sjellë para trios së gjyqtarëve konkluzionet e tyre. Trupi gjykues i Apelit vendosi rikthimin e çështjes pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me argumentimin e shkeljeve procedurale të konstatuara nga kjo gjykatë. Gjykata e Faktit ka kryer shkelje të rënda procedurale në zbatimin e ligjit, pasi nga dënimet e dhëna për këta të pandehur nuk është marrë në konsideratë kërkesa e zhvillimit të procesit me gjykim të shkurtuar, si edhe kërkesa e të pandehurve për ndryshimin e trupit gjykues, ishte argumenti i Apelit. dh.d