E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrollorët zhdukën provat e 11 klandestinëve në Rinas

Asgjësuan dokumentet e kosovarëve me vula refuzohet hyrja në Shengen

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm (SHKB), ka denoncuar në Prokurori pesë oficerë të Policisë së Rinasit me akuzën e lejimit të kalimit nga Shqipëria në vendet e BE-së të 11 klandestinëve kosovarë.
Ky numër u përket rasteve të provuara nga SHKB-ja, mirëpo hetuesit kanë dyshime se numri i personave që kanë kaluar ilegalisht në Rinas është më i madh. Prokuroria e Tiranës ka marrë në shqyrtim referimin e organi i hetimit të krimeve brenda radhëve të Policisë dhe ka vendosur fillimin e procedimit penal ndaj katër kontrollorëve, ndërsa për njërin prej tyre, Njësia Task-Force ka vendosur mosfillimin e hetimeve. SHKB ka bërë ankim në Gjykatë për këtë mosfillim. Të denoncuarit në Prokurori janë Mynir Shira, kryekontrollor i Rinasit, i larguar tashmë nga kjo detyrë, dhe ish-kontrollorët: Bekim Lika, Edison Ahmetaj, Alkida Shima dhe Nirda Lushi. Sipas materialit të referuar në Prokurori, këta efektiva dhe nëntë policë të tjerë që janë ndëshkuar me ulje në gradë, akuzohen se veç lejimit të kalimit të klandestinëve në Rinas, kanë zhdukur edhe gjurmët e kësaj linje të paligjshme. Rastet e klandestinëve që kanë kaluar në Rinas janë zbuluar kryesisht nga kthimi i tyre. Pra shtetasit kosovarë kanë kaluar nga Rinasi për në Francë, Zvicër apo Belgjikë me viza false në pasaporta dhe në pikat kufitare të këtyre vendeve nuk janë lejuar të hyjnë, thanë burimet e hetimit. Sipas tyre, personave që u është refuzuar hyrja në zonën Shengen, u plotësohet dokumentacioni dhe u vendoset vula refuzim. Më pas klandestinët kthehen në vendin nga janë nisur me avionin e parë që mbërrin, ndërsa dokumentet e tyre i jepen kapitenit të avionit. Ky i fundit, sipas procedurës ligjore, duhet që dokumentet e klandestinëve ti dorëzojë menjëherë në aeroport, sapo mbërrin me klandestinët në bord. Kjo gjë duhej të kishte ndodhur me 11 kosovarët që kanë kaluar klandestinë në Rinas, mirëpo dokumentet e tyre nuk janë gjetur. Për të zhdukur gjurmët e krimit të tyre, kontrollorët tashmë të shkarkuar dhe nën hetim, pasi kanë marrë dokumentet e kosovarëve nga kapitenët e avionëve, i kanë zhdukur ato. Kjo skemë ndoshta nuk do të zbulohej kurrë nëse tre nga klandestinët që kishin kaluar nga Rinasi nuk do të ktheheshin nga Porti i Durrësit. Atyre u ishte refuzuar hyrja në Shengen, por autoritetet i kanë përcjellë me traget e jo me avion. Në momentin e mbërritjes së tyre në Portin e Durrësit, Policia Kufitare atje njoftoi Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm dhe klandestinët treguan se si ishin toleruar të kalonin nga Rinasi drejt vendeve të BE-së, edhe pse kishin pasur viza false në pasaporta. Kjo ka qenë pikënisja e hetimit. Verifikimet më pas zbuluan se dokumentet e klandestinëve ishin zhdukur në Rinas, ku dyshohet se janë asgjësuar duke u grisur ose djegur. Kjo pasi nëse dokumentet do të mbaheshin dhe kontrolloheshin në rajonin e Policisë së Rinasit, atëherë çështja do të zbulohej pasi menjëherë do të shihej nga kishin kaluar klandestinët, që në fakt ishin nisur nga Rinasi. re.kr

Manipulimi
Pas konfirmimit të rasteve të shtetasve kosovarë që kanë kaluar nga Rinasi duke u toleruar nga ana e kontrollorëve tashmë të larguar nga detyra, hetimi ka zbuluar edhe një abuzim tjetër të tyrin. Në momentin që i kanë lënë të kalojnë postbllokun në Rinas, kontrollorët e Policisë nuk i kanë futur fare në sistemin e check in pasaportat e klandestinëve. Gjatë hetimit është mësuar se dokumentet e tyre nuk janë kaluar fare në skanerin optik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›