Merr peng financieren pas grabitjes

Godina e komunës Hore-Vranisht, ku ndodhi grabitja
VLORE/ Autori i maskuar tërhoqi zvarrë 500 metra punonjësen për tu arratisur. Kapet i dyshuari.
Terror me armë në komunën Vranisht, rrëmben 400 mijë lekë.
Grabitet me armë e maska komuna e Hore-Vranishtit në Vlorë, autori merr peng për disa metra edhe punonjësen e financës për tu larguar pa telashe.
Ngjarja ndodhi dje rreth orës 10:00, kur një person me armë automatike dhe i maskuar ka hyrë në oborrin e godinës së komunës Hore-Vranisht. Pasi ka qëlluar disa herë në ajër me armë zjarri, ai është futur në ambientet e komunës dhe ka kërcënuar punonjësen e sektorit të ekonomisë se do ta qëllonte nëse do të tentonte ta kundërshtonte. Ai i ka kërkuar ti jepte të gjithë sasinë e parave që ndodheshin gjendje në kasafortë. E ndodhur në këto kushte dhe nën presionin e armës që ia kishte drejtuar në kokë, arkëtarja është detyruar ti bindej dhe ti dorëzonte paratë, shuma e të cilave pas hetimeve dhe inventarit paraprak të kryer rezulton të jetë rreth 400 mijë lekë.
Për ti shpëtuar ndonjë reagimi të mundshëm të punonjësve të tjerë të komunës, grabitësi ka marrë nën kërcënimin e armës edhe arkëtaren me vete. Ai e ka mbajtur nën kërcënimin e armës automatike për më shumë se 500 metra, derisa ka kaluar në një distancë relativisht të madhe dhe më pas e ka lënë të lirë, fatmirësisht pa i shkaktuar dëmtime. Pasi është siguruar se askush nuk e ndiqte, autori i cili dyshohet të jetë 35-vjeçari me inicialet S.L., banor i zonës, është larguar në këmbë në drejtim të maleve, në kufi me Tepelenën. Policia është njoftuar për ngjarjen e rëndë dhe mbërriti në vend, ku kreu veprimet procedurale. Gjithashtu janë marrë në pyetje edhe punonjësit e komunës, si dhe vetë arkëtarja, e cila u përball me terrorin e grabitësit. Ajo i ka pohuar grupit të hetimit se ishte detyruar të dorëzonte paratë, pasi personi e kishte kërcënuar se do ta vriste. Më pas, ai e kishte marrë për disa metra peng, me qëllim që të evitonte reagimin e punonjësve të tjerë, të cilët mund ta ndalonin. Pas deponimit të dëshmitarëve dhe punonjëses së financës, policia arriti të lokalizonte vendndodhjen e grabitësit të dyshuar, të cilin e kanë ndjekur dhe rrethuar në afërsi të kufirit me Tepelenën, në një zonë të thellë malore. Policisë i janë dashur vetëm pak minuta negocimi me grabitësin për ta vënë në pranga atë. Arrestimi i tij është bërë rreth orës 14:00, rreth katër orë pas krimit në komunë. Në momentin e arrestimit, nga kontrolli i ushtruar mësohet se nuk i është gjetur shuma e parave dhe as arma. Policia e Vlorës bëri të ditur se ka nisur hetimet për grabitjen e djeshme, duke mos përjashtuar as punonjësit e vetë komunës Hore-Vranisht. Kjo pasi ka dyshime se ndonjë punonjës i brendshëm mund të ketë bashkëpunuar me autorin, në mënyrë që ai të realizojë grabitjen e parave. Blutë kanë marrë në pyetje të gjithë punonjësit, por ata kanë mohuar të jenë të implikuar. Por sipas burimeve nga grupi i hetimit, ngjarja është drejt zbardhjes dhe nuk përjashtuan mundësinë e arrestimit të një punonjësi të komunës, që dyshohet se ka qenë bashkëpunëtor i autorit 35-vjeçar. Ky i fundit ndodhet në komisariat dhe është marrë në pyetje deri në orët e vona, me qëllim dokumentimin e ngjarjes. Mësohet se ai nuk e ka pranuar autorësinë e grabitjes. Mësohet se shuma e grabitur ishte destinuar për ndihmën ekonomike, rrogat, si dhe shpenzime të tjera të komunës.
Në hetim punonjësit e komunës
Grupi që po merret me hetimin e ngjarjes që ndodhi dje në komunën e Vranishtit, ka marrë në pyetje gjatë të gjithë pasdites së djeshme punonjës të komunës. Ata janë pyetur nëse gjatë asaj dite ose edhe në ditët e mëparshme kishin vënë re ndonjë veprim të dyshimtë, të cilin mund ta lidhnin me ngjarjen. Mësohet se në mes punonjësish ka edhe të dyshuar si të implikuar në bashkautorësinë e grabitjes së parave.
Më tërhoqi nga flokët, frikë se do më vriste
Punonjësja e komunës Hore-Vranisht, e cila u përball me kërcënimin e grabitësit, ndonëse në një gjendje të rënduar psikologjike, ka dhënë dëshminë e saj në Policinë e Vlorës. Lumturie Sadikaj, banore e fshatit Vranisht, është punonjëse e kësaj komune që prej 5 vitesh. Ajo ka deklaruar për grupin e hetimit se personi i maskuar dhe i armatosur kishte qëlluar fillimisht me armë zjarri në ajër jashtë ambientit të komunës. Më pas është futur në godinë me armë duke terrorizuar punonjësit. Pasi u fut në komunë, që në fillim mu drejtua mua duke më thënë ti dorëzoja lekët. Ai më kërcënoi se, nëse nuk do ti bindesha, do të më vriste. Kur pa se nuk po reagoja, pasi kisha mbetur e shtangur, ai qëlloi sërish për të më trembur. Nga frika nuk thoja dot asnjë fjalë dhe dridhesha e gjitha. Grabitësi më mori çelësin dhe hapi kasafortën. Mori të gjitha lekët që ndodheshin në kasafortë, ndërsa armën e mbante drejt meje duke më kërcënuar të mos bëja asnjë lëvizje. Ishte i maskuar dhe nuk munda ta dalloj cili ishte. Kështu mësohet se ka pohuar në Policinë e Vlorës punonjësja e komunës, e cila fatmirësisht nuk u bë viktimë e agresionit të autorit të grabitjes. Sipas saj, në momentin e ngjarjes, brenda godinës së komunës kishte shumë pak persona. Ata ishin shtrirë për tokë nga frika se grabitësi do ti qëllonte me armë. Pasi mori lekët, ai më kapi për krahu dhe më tërhoqi me vete jashtë godinës. Herë më tërhiqte për krahu dhe herë nga flokët, duke më thënë se nëse do reagoja do më vriste. Edhe pse më paralajmëroi, nuk u përmbajta, por në mënyrë të pavullnetshme fillova të bërtisja. Mendova se do më tërhiqte drejt pyllit dhe do të më vriste diku. Pas disa minutash, në dalje të fshatit më la të lirë dhe u largua duke më kërcënuar të mos tregoja, sepse do ta pësoja unë dhe familja ime. U ktheva e tmerruar në komunë. Kolegët e mi më dhanë ndihmën e parë. Mu deshën disa minuta të merrja veten nga tmerri që pashë me sy. Mendova se kaq ishte jeta ime. Më pas erdhi policia, është shprehur më tej në polici arkëtarja e komunës. Ajo ka mohuar të ketë mundur të dallojë ndonjë tipar të autorit, por ka deklaruar se nga e folura dukej banor i zonës.
Kamzë, grabiten me armë dy shtëpi, shpëton e treta
Tiranë, dyshohen të njëjtët autorë
TIRANE – Dy grabitës me maska vodhën me armë dy familje në Kamzë ndërsa tentuan një tjetër grabitje, por dështuan afër Institutit Bujqësor. Ngjarjet kanë ndodhur në një hark kohorë prej dy orësh. Policia tha se krimet ndodhën pas mesnate duke gdhirë dita e djeshme. Autorët në dy rastet kanë arritur të kryejnë grabitjet, ndërsa në rastin e tretë kanë dështuar për shkak se është afruar një patrullë policie. Burime nga Policia e Tiranës thanë se nga përshkrimet e familjarëve të dëmtuar dhe dëshmitarëve, dyshohet se në tri rastet janë përfshirë të njëjtët persona, të cilët kanë qenë të maskuar dhe të armatosur. Sipas të njëjtave burime, ngjarja e parë ka ndodhur rreth orës 01:30, në rrugën Napoli, në Kamzë. Dy persona të armatosur kanë hyrë në banesën private të Sali Kolecit dhe kanë vjedhur dy celularë dhe një portofol me një shumë parash ende të papërcaktuar. Në kohën kur grabitësit ndodheshin brenda shtëpisë, pjesëtarët e familjes kanë qenë në gjumë dhe ata kanë marrë edhe çelësat e një makine të parkuar në oborrin e banesës, me qëllim për ta grabitur. Por gjatë kohës që ata po tentonin të hapnin makinën, i zoti i shtëpisë ka dalë në dritare dhe autorët kanë nxituar të largohen, duke qëlluar me armë në ajër. Ndërsa rreth orës 02:45, dyshohet po të njëjtët persona, kanë hyrë në banesën e shtetasit Fatos Hila, në lagjen nr.4 në Kamzë, ku kanë kërcënuar me armë pjesëtarët e familjes dhe më pas kanë