Prendi nuk firmos 21 janarin

Ndrea Prendi
Aktet e dhunës, Ina Rama zgjat me tre muaj afatin e hetimit ndaj tre deputetëve të PS.
Avokati merr ekspertizat në Prokurori: Dua 10 ditë kohë.
Genc Gjokutaj, avokati mbrojtës i ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi, i kërkoi dje Prokurorisë shtyrjen me dhjetë ditë të dërgimit të dosjes në Gjykatë, duke kërkuar që në këtë interval kohor ti krijohet mundësia e njohjes me materialet e fashikullit hetimor të 21 janarit.
Organi i akuzës kishte planifikuar që ditën e djeshme ti jepte në dorëzim dosjen penale avokatit të Ndrea Prendit dhe të merrte prej tij firmën e marrjes dijeni me qëllim që dosja penale të dërgohej në Gjykatë. Rreth orës 12:00, avokati Gjokutaj, i cili përfaqëson gjeneralin Ndrea Prendi, u paraqit në Prokurori ku qëndroi për më se një orë. Mësohet se gjatë qëndrimit në organin e Prokurorisë, Gjokutaj ka marrë disa akte të dosjes penale të 21 janarit dhe më pas nuk ka firmosur për dërgimin e dosjes në Gjykatë. Ai ka kërkuar kohë për tu njohur me materialet e Prokurorisë, ndërsa mësohet se edhe grupi i hetimit ka qenë dakord me 10-ditëshin e afatit të kërkuar nga mbrojtësi i ish-komandantit të Gardës, që akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese ndaj Faik Myrtajt më 21 janar 2011. Procedimi është në fazën e fundit me veprimet finale të tij. Pjesë e këtyre procedurave është edhe marrja në dorëzim nga avokati e një pjese të akteve të

Besnik Baraj
dosjes hetimore, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, bazuar në një kërkesë të bërë nga Gjokutaj, avokatit të Prendit i janë dhënë disa materiale të dosjes. Ai ka thënë se pasi të njihet me to, mund të japë deklarime si i pandehur, ose mund të mbajë qëndrim ligjor me kërkesa procedurale për to. Sipas Prokurorisë, është vendosur që në një afat të arsyeshëm 10-ditor, avokati i Prendit dhe vetë i pandehuri, të cilit tashmë i është njoftuar akuza, të njihen me faktet e dosjes dhe të mbajnë qëndrimin e tyre. Materialet për të cilat ka shfaqur interes avokati i Prendit mësohet se kanë qenë ekspertiza e armës së ish-komandantit të Gardës, e datës 5 janar 2012 në zyrat e FBI-së, dhe e njëjta gjë edhe për pistoletën e shoferit të Prendit, shtetasit Margarit Kume, pasi dy armëve u ishin ndërruar tytat për të humbur gjurmët.
Shtyhet hetimi për deputetët
Paraditen e djeshme në Prokurorinë e Përgjithshme është paraqitur deputeti i PS-së, Besnik Baraj. Ai është një nga të zgjedhurit socialistë, bashkë me Tom Doshin e Taulant Ballën, që po hetohet për dyshimet e nxitjes dhe thirrjes për akte dhune në demonstratën e 21 janarit. Prokuroria e Përgjithshme ka nisur një hetim që në shkurt 2012 ndaj deputetëve të PS-së, të cilët dyshohet se kanë nxitur dhe organizuar demonstruesit që dogjën disa makina te Piramida dhe po ashtu sulmuan vendrojën e Kryeministrisë. Duke qenë se në tre muajt e parë të hetimit Prokuroria nuk ka arritur një vendimmarrje, mësohet se tre deputetët janë thirrur në organin qendror të akuzës ku janë njoftuar për vendimin e zgjatjes së hetimit edhe me 3 muaj të tjerë. Për këtë arsye, deputeti Besnik Baraj është paraqitur dje në Prokurorinë e Përgjithshme dhe ka marrë dijeni për shtyrjen e afatit të hetimeve.
TRAZHGIM SOKOLAJ