Vrasja e të rinjve shqiptarë, protesta në Gostivar e Shkup
Mijëra njerëz kanë protestuar dje në Gostivar dhe Shkup, Maqedoni, të revoltuar për vrasjen e dy të rinjve shqiptarë nga një polic maqedonas pas një sherri banal për vendin e parkimit. Incidenti ishte më i rëndi në valën e urrejtjes ndëretnike që prej vitesh ka përfshirë vendin fqinj, e nxitur nga politika në vend. Në Gostivar protesta paqësore nisi nga Gjykata Themelore e qytetit, përshkoi bulevardin dhe përfundoi pranë stacionit të Policisë. Shqiptarët e Maqedonisë që morën pjesë në këtë protestë bënë thirrje për drejtësi dhe kërkuan dënim të merituar për policin që vrau dy të rinjtë shqiptarë. Protesta pati edhe në Shkup, të organizuara nga Organizata Kundër Brutalitetit të Policisë. Mijëra të rinj marshuan bashkë me qytetarë të tjerë nga sheshi Nënë Tereza drejt Parlamentit. Në protestën ku thuhen se kanë marrë pjesë qytetarë të etnive të ndryshme që nuk e mbështesin dhunën kundër komuniteteve të ndryshme, valëviteshin së bashku flamuri shqiptar dhe ai maqedonas. Dy të rinjtë shqiptarë, 26 dhe 29 vjeç, u ekzekutuan nga polici maqedonas 39-vjeçar, Jakim Trifunovski, për të cilin gjykata ka caktuar 30 ditë paraburgim.