E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e trefishtë në Mat, hakmarrje për kanun

MAT -Hakmarrja në emër të kanunit për pak sa nuk shoi një familje në fshatin Frankth të rrethit të Matit. Tre vëllezër, të cilët që prej 11 vjetësh mbanin peng në zemër vrasjen e gjyshit të tyre, mbrëmjen e së dielës u bënë autorë të një masakre të vërtetë. Ka mjaftuar një sherr i çastit në rrugë, që ata të kapnin armët dhe të sharronin me plumba jo vetëm kushëririn e tyre 58-vjeçar që e konsideronin hasëm, por dhe 4 pjesëtarë të familjes së tij. Vetëm pak orë pas ngjarjes forcat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Dibrës arrestuan autorët e krimit: Dashamir, Valter dhe Durim Barçi. Dje, burime zyrtare nga kjo drejtori bënë të ditur se gjithçka ndodhi pas një sherri të çastit dhe se po hetohet intensivisht dhe në pista të tjera për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes. Ndërkohë, banorë të fshatit ku ndodhi masakra, pohojnë se familja e viktimës Shaqir Barçi si dhe familja e Hajredin Barçit prej më shumë se një dekade nuk shkonin e vinin tek njëra-tjetra, edhe pse ishin kushërinj dhe se herë pas here konfliktoheshin mes tyre. Mbrëmjen e së dielës ata janë bërë dëshmitarë të një krimi makabër, ku gjithçka zë fill tek kanuni i mesjetës.
HASMERIA
Konflikti mes dy familjeve Barçi nisi në vitin 1998, kur u gjet i vrarë në rrugë Islam Barçi, gjyshi i tre djemve të arrestuar për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së dielës. Pas vrasjes u arrestua kushëriri i viktimës, Shaqir Barçi. Ai qëndroi 9 muaj në burg dhe më pas u la i lirë, pasi u konsiderua i pafajshëm. Dalja nga burgu e Shaqir Barçit zemëroi pa masë familjen e Hajredin Barçit. Që prej asaj kohe, dy familjet në fjalë jo vetëm që nuk flisnin, por provokonin konflikte të tjera të çastit. Marrëdhëniet e tensionuara mes tyre vazhduan deri dy net më parë kur ndodhi masakra.
SHERRI
Rreth orës 20:00, Shaqir Barçi po kthehenj nga qyteti i Burrelit për në fshatin e tij të lindjes, në Frankth të Komunës Komsi. Deri në afërsi të fshatit ai kishte udhëtuar me një automjet me targa të Dibrës. Ndërsa ishte duke ecur në këmbë, ai ka vënë re furgonin e linjës Frankth-Burrel dhe anasjelltas, që drejtohej nga tre djemtë e kushëririt të tij, Hajredin Barçit. Në gjendje të dehur, 58-vjeçari i bën me shenjë drejtuesit të mjetit që të ndalojë. Ndërsa ky i fundit nuk ka ndaluar, Shaqir Barçi ka nisur të shajë me fjalë të ndyra. Por sherri nuk ka përfunduar me kaq. Grindja mes palëve ka vazhduar sërish në afërsi të banesave të tyre. Konflikti kësaj here ka rezultuar fatal, pasi në përleshje janë përfshirë pjesëtarët e dy familjeve. Tre vëllezërit Dashamir, Valter dhe Durim Barçi, përkatësisht 29, 24 dhe 31 vjeç kanë marrë automatikë dhe çifte dhe fillimisht kanë vrarë 58-vjeçarin, më pas bashkëshorten, Hamiden dhe djalin e tyre, Ylberin. Ky i fundit kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Greqia, ku kishte emigruar prej vitesh. Ndërsa, u plagosën rëndë dy djemtë e tjerë të viktimës, Gazmiri dhe Haliti, përkatësisht 35 dhe 23 vjeç, i mbijetuan masakrës dy fëmijët më të vegjël të Shaqir Barçit, (vajza 15 vjeçe dhe djali 17 vjeç).
ARRESTIMI
Vrasja e tre pjesëtarëve të familjes Barçi si dhe plagosja e dy të tjerëve kanë alarmuar policinë. Forca të shumta janë vënë në ndjekje të autorëve të masakrës. Burime nga policia lokale pohojnë se në orët e para të mëngjesit të djeshëm (rreth orës 02:00) u prangosën tre djemtë e Hajredin Barçit. Tre vëllezërve iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale dy pushkë automatike si dhe një armë gjahu, me të cilat dyshohet të jetë kryer krimi.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›