E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e tregtarit, burg pa afat autorit

Gjykata e Tiranës ka caktuar dje masën e sigurisë "arrest me burg" për Shaban Allaraj të akuzuar për veprën penale të vrasjes. Gjatë caktimit të masës së sigurisë, i pandehuri nuk ka pranuar të japë deklarime para gjyqtarit të gatshëm Artan Broci. Ndërsa mbrojtësi i tij kërkoi një masë sigurie më të butë. Ndërkohë, prokurori i çështjes i ka kërkuar gjykatës caktimin e masës së sigurisë "arrest me burg", pasi mbi 52-vjeçarin ka prova bindëse për ngjarjen e ndodhur katër ditë më parë. Po ashtu prokurori pretendoi se i pandehuri përbënte rrezikshmëri shoqërore. Gjykata, pasi dëgjoi të dyja palët, vendosi të lërë në fuqi kërkesën e akuzës. Ngjarja për të cilën akuzohet i pandehuri ka ndodhur në Sauk të vjetër, ku viktima Ylli Tafani është qëlluar me thikë disa herë në trup. Sipas hetimeve të kryera nga prokuroria dyshohet se shkak i kësaj zënke ka qenë rrahja e djalit të autorit nga ana e viktimës. Mësohet se i biri i autorit i kishte vjedhur disa hekura viktimës. Pas këtij veprimi, i mituri kishte shkuar sërish tek vendi ku kreu vjedhjen, për t‘i shitur hekurishtet. I acaruar nga ky fakt, Tafani ka rrahur djalin e autorit Allaraj. Veprimi i kryer ka sjellë edhe reagimin e prindërve. Mësohet se 52-vjeçari ka tentuar të sqarohet me Tafanin, por ky i fundit ka nxjerrë një thikë që mbante me vete dhe më pas e ka qëlluar disa herë, duke i shkaktuar vdekjen.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›