Vrasja, lajm i trishtuar për Lituaninë

(E plotësuar) Ministri i Jashtëm lituanez, Linas Linkevicius, ka shprehur keqardhje për vrasjen e pjesëtarit të EULEX-it në rajonin e Zveçanit.
Doganieri me ka qenë shtetas i Lituanisë.
“Lajm i trishtuar ka goditur Lituaninë këtë mëngjes – vdekja e shtetasit tonë, i cili ka shërbyer në misionin e EULEX-it në Kosovë”, ka shkruar Linkevicius në Twitter.
.........................
Kryeparlamentari Krasniqi kërkon që vrasësit të sillën para drejtësisë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin ka dënuar vrasjen e zyrtarit të Eulex-it, ku njëherësh ka shprehur ngushëllime në emër të Kuvendit.
Krasniqi, thotë se me trishtim e mori lajmin e hidhur për vrasjen e zyrtarit të EULEX-it në mëngjesin e sotëm në Zveçan.
“Në emër të Kuvendit dhe timin, zotit Bernd Borchardt, shef i Misionit EULEX, i shpreh ngushëllimet e sinqerta, kurse nëpërmjet tij ngushëlloj edhe familjarët e të ndjerit në Lituaninë mike. Ky sulm qyqar mori jetën e një zyrtari të pafajshëm, që po i kontribuonte interesit të të gjithë qytetarëve tanë dhe sigurisë e rendit, ligjshmërisë dhe zhvillimit institucional të Kosovës. Ai nxjerr para nesh edhe njëherë nevojën e ngutshme të forcimit të sigurisë, të lëvizjes së lirë dhe funksionimit normal të institucioneve të Kosovës”, është shprehur kryeparlamentari Krasniqi, duke kërkuar që vrasësit të sillën sa më parë para drejtësisë.
....................
LDK: Sulm ndaj koncepteve evropiane
Lidhja Demokratike e Kosovës ka dënuar ashpër sulmin e sotëm ndaj pejsëtarëve të EULEX-it në Zveçan, në të cilin ka humbur jetën një pjesëtar lituanez i këtij misioni dhe janë plagosur dy të tjerë.
“LDK-ja konsideron se aktet e tilla kriminale janë sulme ndaj koncepteve evropiane, për të cilat angazhohen me të gjitha forcat qytetarët e Republikës së Kosovës”.
“LDK-ja kërkon që rasti të hetohet dhe të zbardhet sa më parë që të jetë e mundur dhe që kryrësit e kësaj vepre tepër të rëndë të dalin para organeve të drejtësisë”, thuhet në reagimin e kësaj partie.
....................................
Ashton: Të sillen para drejtësisë sulmuesit e EULEX-it
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka thënë se është thellësisht e pikëlluar me vdekjen e pjesëtarit lituanez të EULEX-it në veri të Kosovës.
“Shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjen dhe miqtë e viktimës. E dënoj në termat më të fuqishëm të mundshëm sulmin që ka çuar në vdekjen e një pjesëtari të stafit. Autorët duhet të sillen para drejtësisë”, ka thënë Ashton në një deklaratë për media.
Sipas saj, Bashkimi Evropian është i vendosur që të vazhdojë angazhimin në Kosovë dhe punën e tij në kontekst të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
“U bëj thirrje të gjitha palëve që të dyfishojnë përpjekjet për të zbatuar marrëveshjet e arritura, për të normalizuar marrëdhëniet dhe për të pëmirësuar jetët e njerëzve në veri të Kosovës”, ka thënë Ashton.
....................
Haradinaj dënon fuqishëm sulmin ndaj EULEX-it
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e dënon fuqishëm sulmin kriminal ndaj pjesëtarëve të Misionit të EULEX-it, që ndodhi sot në Zveçan, ku e humbi jetën një pjesëtar i këtij misioni.
Kryetari Haradinaj e konsideron këtë një akt të shëmtuar dhe qyqar kundër Misionit të EULEX-it dhe përpjekjeve të përbashkëta për vendosjen e rendit, ligjit dhe të kushtetutshmërisë, tash në prag të mbajtjes së zgjedhjeve lokale ne vend dhe në very, gjithashtu.
Kryetari Haradinaj fton për bashkërenditje dhe koordinim midis të gjithë akterëve - institucioneve të vendit dhe partnerëve ndërkombëtarë, për angazhim edhe më të përkushtuar në shtrirjen e rendit dhe të ligjit në veri dhe për identifikimin, kapjen dhe dënimin e autorëve të këtij sulmi të shëmtuar.
............................
Zbogar: Sulmi ndaj EULEX-it është sulm edhe ndaj BE-së
Shefi i Zyrës së BE-së, Samuel Zbogar ka deklaruar se sulmi ndaj EULEX-it është sulm edhe ndaj Bashkimit Evropian, por theksoi se ky rast nuk mund ta pengojë procesin politik në Kosovës.
Zbogar gjatë një konference për media ka thënë se janë të përkushtuar të vazhdojnë angazhimin për zbatimin e marrëveshjes së arritur më 19 prill.
Ndërkaq, edhe shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt ka dënuar sulmin ndaj pjesëtarit të EULEX-it nga Lituania dhe ka kërkuar nga ata që kanë informacion t’i ndihmojnë EULEX-it.
Ai ka thënë se do të rishikojnë sigurinë e pjesëtarëve të EULEX-it dhe nëse ka nevojë do ta shtojnë numrin e pjesëtarëve në veri.
........................
Jahjaga ngushëllon shefin e EULEX-it
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga i ka telefonuar shefit të EULEX-it, Bernd Borchardt, për të shprehur ngushëllimet e qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës për vrasjen e kolegut të tyre.
Ajo gjithashtu nëpërmjet një deklarate dënon sulmin ku thuhet se ky sulm ndaj EULEX-it, mision ky i cili bënë përpjekje të pareshtura krahas institucioneve të tjera të sigurisë të vendosin rend dhe ligj në tërë territorin e Republikës së Kosovës, është një akt plotësisht i patolerueshëm i forcave që kanë për qëllim destabilizimin e vendit tonë dhe prishjen e rendit kushtetues në kohën kur institucionet e Republikës së Kosovës po tregojnë pjekuri politike, duke u angazhuar të krijojnë një shtet gjithëpërfshirës.
“Sulmi ndaj EULEX-it është sulm ndaj vlerave të shtetit të Kosovës. Sulmet e këtilla mbi praninë ndërkombëtare në Kosovë, në një periudhë të përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve komunale, që synojnë gjithëpërfshirjen, janë përpjekje për të krijuar klimë të pasigurisë dhe të frikës”, thuhet në deklaratë.
Presidentja Jahjaga kërkon nga qytetarët vetëpërmbajtje dhe qetësi, me qëllim të krijimit të një klime të qetë në prag të zgjedhjeve, që do të mundësonte votim të lirë dhe të dinjitetshëm për secilin qytetar në çdo pjesë të Kosovës.
Ajo ftoi organet e rendit dhe sigurisë që sa më shpejt të zbardhin rastin dhe të ndërmarrin të gjitha hapat që kryesit e këtij sulmi të përballën me drejtësinë.
.........................
Pacolli dënon vrasjen
Kreu i AKR-së, Behxhet Pacolli ka shprehur indinjatën e tij dhe ka dënuar sulmin e armatosur kundër pjesëtarëve të EULEX-it që ndodhi sot në Komunën e Zveçanit ku si pasoj e kësaj humbi jetën një pjesëtar i EULEX-it. “Një akt i tillë për mua është një akt plotësisht i patolerushëm i forcave qe e kanë për qëllim destabilizimin e vendit tonë dhe prishjen e rendit. Po ashtu dëshiroj të shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes të së ndjerit dhe gjithë pjesëtarëve të EULEX-it”, ka thënë Pacolli.
.............................
Zarif: Sulmi ndaj EULEX-it, sulm ndaj parimeve të paqes
Përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Farid Zarif, ka dënuar në termat më të fuqishëm të mundshëm sulmin fatal kundër EULEX-it, në afërsi të Komunës së Zveçanit, i cili ka rezultuar me vrasjen e një pjesëtari të misionit evropian.
“Ky akt i neveritshëm i dhunës është sulm direkt ndaj parimeve të paqes, drejtësisë dhe cvilizimit, të cilave u shërbejnë misionet ndërkombëtare në Kosovë. Çdo sulm kundër përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar është sulm ndaj bashkësisë ndërkombëtare në tërësi”, thuhet në deklaratën e Zarifit, dërguar mediave.
Po sipas saj, Kombet e Bashkuara në Kosovë i ofrojnë mbështetje të plotë EULEX-it dhe autoriteteve lokale për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit e sulmit.
.........................
Hoxhaj ngushëllon homologun Linkevičius
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Lituanisë, Linas Linkevičius, pas incidentit në Zveçan, në veri të Kosovës, që rezultoi me vdekjen e një pjesëtari të EULEX-it nga Lituania.
Ministri Hoxhaj, në emër të qytetarëve dhe Qeverisë së Kosovës i ka shprehur ngushëllimet
më të sinqerta ministrit Linkevičius, familjes së të ndjerit dhe popullit të Lituanisë për këtë ngjarje tragjike.
Hoxhaj po ashtu ka dënuar ashpër sulmin e armatosur kundër pjesëtarëve të Misionit të EULEX-it, ku si pasojë ka vdekur një pjesëtari i saj nga shteti mik, Lituania.
“Ky sulm është një akt i shëmtuar dhe qyqar kundër sundimit të rendit dhe ligjit edhe në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës dhe si i tillë është i dënueshëm nga qytetarët dhe institucionet e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj, gjatë bisedës.
Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu ka theksuar se Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me EULEX-in, KFOR-in dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë është e vendosur që të vazhdojë t’i kryejë obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës.
-----
Jacobson "e tronditur" me sulmin ndaj EULEX-it
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, ka shprehur keqardhje për vrasjen e pjesëtarit të EULEX-it në rajonin e Zveçanit.
“Jam e tronditur me sulmin ndaj EULEX-it në veri, këtë mëngjes, dhe e trishtuar me humbjen e jetës”, ka shkruar Jacobson në Twitter.
Doganieri i EULEX-it, shtetas i Lituanisë, ka ndërruar jetë në spital në veri të Mitrovicës, si pasojë e plagëve të marra në sulm.
........................
Qeveria dënon vrasjen e pjesëtarit të EULEX-it
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dënuar ashpër sulmin e armatosur kundër pjesëtarëve të EULEX-it, në afërsi të Zveçanit, ku si pasojë ka humbur jetën një pjesëtar i misionit evropian.
“Ky sulm kundër pjesëtarëve të EULEX-it është një akt i shëmtuar dhe qyqar kundër sundimit të rendit dhe ligjit edhe në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës dhe si i tillë është i dënueshëm nga qytetarët dhe institucionet e Kosovës”.
“Qeveria, në bashkëpunim me EULEX-in, KFOR-in dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë është e vendosur që të vazhdojë t’i kryejë obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, me theks të veçantë edhe në pjesën veriore të vendit”, thuhet në deklaratën e Thaçit.
Ai po ashtu ka kërkuar nga organet kompetente që menjëherë të ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme që kryerësit e këtij akti që ka ndodhur sot, të nxirren para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar. /Indeksonline/