E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në Durrës, "arrest me burg" autorit

MASA/ Gjykata ka vendosur ta lërë në burg deri në fund të hetimeve 45-vjeçarin Skënder Balla


DURRËS - "Arrest me burg" për të akuzuarin e vrasjes së Artan Zekës. Kjo ka qenë masa e sigurisë e dhënë dje nga trupi gjykues në Gjykatën e Faktit të Durrësit. Ditën e hënë ka dalë para togave të zeza Skënder Balla, i akuzuar për vrasjen e 32-vjeçarit Artan Zeka, ngjarje e ndodhur të premten në fshatin Qerret.


Në këtë seancë të kryesuar nga gjyqtari Neritan Tabaku, e cila ka filluar rreth orës 13:00 dhe ka zgjatur rreth 1 orë e gjysmë, i dyshuari për vrasjen e Zekës është përballur me akuzat e ngritura nga prokuroria dhe kërkesën për dhënien e masës së sigurisë "arrest me burg" deri në përfundim të hetimeve.


Sipas Ballës, sherri me viktimën ka filluar rreth orës 08:30 të mëngjesit dhe ka qenë momenti kur makina që kishte në përdorim, një makinë me ngjyrë të zezë me targë gjermane e markës "BMW", është goditur me gurë nga tre persona mes të cilëve ishte edhe i ndjeri.


Ai u shpreh se "sherrin e hapi një tjetër. Më pas erdhën babë e bir, më nxorën nga makina dhe më goditën. Madje i gjuajtën edhe familjarëve të mi. I shpëtova nga duart dhe shkova në barakë, ku mora armën".


Prokuroria ka hedhur poshtë pretendimin e të pandehurit se i është copëtuar makina me gurë, pasi ajo ka raportuar faktin se autovetura nuk rezulton e dëmtuar asgjëkundi. Ndërkohë, mbrojtja ka këmbëngulur që të merret në konsideratë fakti se si nismë e ngjarjes është bërë një sherr banal dhe vrasja është kryer nën presionin e një tronditjeje të thellë psikike.


Prokuroria ndaj të pandehurit Balla ka ngritur dy akuza: "vrasje në rrethana të cilësuara" dhe "armëmbajtje pa leje".


Pas kësaj, nga trupi gjykues Skënder Ballës i është dhënë masa "arrest me burg". Skënder Balla akuzohet se vrau ditën e premte 32-vjeçarin Artan Zeka pas një grindjeje për motive të dobëta.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›