E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi dhe Bosch: Duhen zgjedhje të lira!

Presidenti i Republikës dhe Ambasadori i OSBE-së apelojnë për zgjedhje sipas standardeve


TIRANË- Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert, ka kërkuar dje që tradita e votimit në grup të mos njollosë standardet e procesit zgjedhor në 2009 dhe që shqiptarët të kenë në dorë kartat e identitetit.


"Duhet të tregoni se jeni të aftë të bëni zgjedhje të lira dhe të tregoni këtë herë se mund të votoni individualisht, duke eliminuar votimin familjar, pjese të traditës shqiptare në zgjedhje. Në qoftë se politikanët shqiptarë janë seriozë në ambiciet integruese, duhet ta dënojnë këtë praktikë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ta ndalojë me 28 qershor.


Gjithashtu, aplikoni për karta identiteti dhe i tërhiqni ato për kohën që u shty nga Ministria e Brendshme",- tha Bosch, gjatë ceremonisë se diplomimit të grave të përfshira në projektin "Rritja e pjesëmarrjes femërore në proceset zgjedhore". Apel për zgjedhje të ndershme dhe larg një tradite tjetër që i ka shoqëruar ato në vite, dhunës, ka bërë dhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi.


"Shoqëria shqiptare ka shumë, shumë nevojë që zgjedhjet e datës 28 të zhvillohen vërtet të lira, të zhvillohen në një klimë të qetë, t'i largohemi në mënyrë definitive episodeve të dhunshme, që ndodhin diku dhe që duhet të dënohen nga të gjithë, dhe mbi të gjitha të tregojmë që zgjedhjet e datës 28 qershor do të jenë një arritje e rëndësishme për Shqipërinë, mbas së cilave rruga drejt Bashkimit Evropian padyshim që nuk do të jetë një rrugë e ngushtë, nuk do të jetë një rrugë me kthesa, por do të jetë një bulevard i gjerë!",- tha Topi.


Ndërsa në një intervistë për "Zërin e Amerikës", Presidenti i Republikës shtoi se, të gjithë presin që kjo fushatë të përfundojë në mënyrën më të mirë të mundshme."Ajo që është më e rëndësishmja, është që data 28 qershor të jetë dita e kurorëzimit të fryteve të demokracisë në Shqipëri.


Padyshim që kjo fushatë është një arritje e konsiderueshme krahasuar me fushata të tjera zgjedhore. Po zhvillohet përgjithësisht në një klimë të qetë", - shtoi ai.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›