E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në Kamëz, “arrest me burg” për autorin

Gjykata e Tiranës vendosi të lërë në burg deri në zbardhje të hetimeve 19-vjeçarin Bukurosh Muçeku, i akuzuar për vrasjen e një të riu në Kamëz. Gjatë zhvillimit të seancës së masës, prokurori i çështjes tregoi rrethanat e ngjarjes, dëshmitë e grumbulluara dhe provat e gjetura ditën e ngjarjes. Madje, edhe pohimet e autorit të dyshuar të këtij krimi pas arrestimit. Në përfundim të shpjegimit të këtyre rrethanave, prokurori kërkoi caktimin e masës “arrest me burg” për të akuzuarin. Avokati mbrojtës i Muçekut kërkoi një masë më të butë për klientin e tij, ndërkohë që gjykata në përfundim vendosi të lërë në fuqi masën e kërkuar nga përfaqësuesi i akuzës, përkatësisht “arrest me burg” deri në zbardhje të hetimeve nga organi hetimor. Sipas akuzës, 19-vjeçari akuzohet për vrasjen me thikë të 22-vjeçarit Robert Altndreca. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Universitetit Bujqësor të Kamzës, ku Bukurosh Muçeku pas një zënke për një karrige në një kafe-internet ka goditur me thikë 22-vjeçarin Robert Altndreca, i cili ka gjetur vdekjen si pasojë e hemorragjisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›