Gërdeci:Gjyqi dy herë në javë përplas gjykatën me avokatët
Përplasje mes gjyqtarëve dhe avokatëve të procesit të tragjedisë së Gërdecit. Shkak është bërë shtyrja e gjyqit dhe vendimi që ky proces të zhvillohet dy herë në javë, ndërkohë që avokatët e kundërshtojnë një gjë të tillë, duke pretenduar se kanë ngarkesë çështjesh dhe nuk mund të qëndrojnë në këtë gjyq më tepër se një herë në javë. Madje, kanë paralajmëruar se nuk do jenë të pranishëm në këtë proces gjyqësor dy herë në javë. Gjyqtari kryesues, Ridvan Hado, u ka bërë të ditur avokatëve se vendimi i tij për ta zhvilluar këtë gjyq dy herë në javë është i formës së prerë dhe se do ta zhvillonte gjykimin të pandërprerë çdo ditë, nëse nuk do kishte ngarkesë në gjyqe të tjera. Seanca e djeshme u shty në pamundësi për të vazhduar për shkak të mungesës së dy avokatëve, Maksim Haxhia dhe Arben Prifti, konkretisht avokatët e Delijorgjit dhe Minxhollit. Gjykata nuk e zëvendësoi dje avokatin Haxhia apo kolegun e tij Prifti, madje nuk i dërgoi kësaj here as ankesë Dhomës Kombëtare të Avokatisë, pasi vetë kreu i kësaj dhome ishte një ndër avokatët që mungonte. Seanca e ardhshme do të zhvillohet ditën e hënë, ndërkohë që paralelisht në Gjykatën e Lartë do të vijojë shqyrtimi i padive të dy prej të dëmtuarve nga tragjedia e Gërdecit kundër ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Një seancë më parë, hetuesit iu rikthyen Gërdecit. Prokurorë, hetues dhe avokatë ishin në fshatin Gërdec e pikërisht në ish-krater. Ata kanë kërkuar elemente të rinj në vendin e ngjarjes, duke ekzaminuar dhe administruar si provë materiale saldatriçen me të cilën ishte salduar karroca që solli shkëndijat e para dhe zjarrin në fabrikë. Për më shumë se tre orë, ekspertët dhe tre nga avokatët e të akuzuarve për tragjedinë e Gërdecit kanë kryer ekspertizën e saldatriçes së gjetur së fundmi në hyrje të fabrikës së demontimit. Rikthimi i ekspertëve në vendngjarje u bë me urdhër të gjykatës, pasi pati përplasje mes rrëfimeve të dëshmitarëve. Sipas prokurorisë, shpërthimi ka ardhur si pasojë e saldimit të një karroce, e cila tashmë është futur në listën e provave materiale. Ndërkohë që disa prej dëshmitarëve kanë thënë se atë ditë nuk ka pasur saldim karroce.
Gjykata nuk e zëvendësoi dje avokatin Haxhia apo kolegun e tij, Prifti, madje nuk i dërgoi kësaj here as ankesë Dhomës Kombëtare të Avokatisë, pasi vetë kreu i kësaj Dhome ishte një ndër avokatët që mungonte