E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasjet:Mbërrin nga OKB me Misionin e Raporterit të Posaçëm, Philip Alston

Me Misionin e Raporterit të Posaçëm të OKB-së për ekzekutimet jashtëgjyqësore ose arbitrare për herë të parë në Shqipëri, për gati një javë pritet të qëndrojë në Shqipëri, profesor Philip Alston, i cili do të mbërrijë ditën e sotme dhe do të përfundojë misionin në datën 23 shkurt. Sipas burimeve zyrtare nga zyra e OKB-së për Shqipërinë, Alston është raporteri i posaçëm i OKB-së dhe mandati i tij është për ekzekutimet jashtëgjyqësore ose arbitrare dhe mbulon të gjitha vrasjet që përbëjnë shkelje të të drejtave ndërkombëtare të njeriut ose shkelje të ligjit humanitar ndërkombëtar. Këtu përfshihen: vrasjet e kryera nga policët ose ushtarët, vdekjet në burg ose shkeljet e limiteve të zbatimit të dënimit me vdekje. Në të përfshihen gjithashtu vrasjet (përfshirë gjakmarrjen, vrasjet për nder dhe vetëgjyqësinë), të cilat kryhen nga individë privatë dhe rastet kur shteti dështon në parandalimin apo në hetimin e vrasjeve në mënyrë adekuate. Mandati mbulon edhe çështjet e mosndëshkimit, përgjegjësisë penale dhe kompensimit për vrasjet. Referuar burimeve zyrtare nga zyra e OKB-së në Shqipëri, bëhet e ditur se Raporteri i Posaçëm e kryen mandatin e tij, duke pasur korrespondencë me qeveritë për rastet specifike të vrasjeve dhe nëpërmjet vizitave për të gjetur fakte në vendet ku dyshohet të kenë ndodhur vrasjet. Ai heton rrethanat dhe shkaqet e vrasjeve, paralajmëron qeveritë për detyrimet e tyre ligjore dhe ofron udhëzime për masat e nevojshme për të parandaluar shkeljet e ardhshme. Përpara një vizite në vend, Raporteri i Posaçëm kryen kërkime të gjera në institucionet e shtetit dhe ligjet e tij dhe për problemet që has shoqëria në atë shtet. Gjatë vizitës në vend, Raporteri i Posaçëm takon përfaqësuesit e qeverisë, diplomatët, përfaqësuesit e shoqërisë civile, OKB-në dhe institucione të tjera, si dhe dëshmitarët, viktimat dhe familjarët e viktimave. Gjithashtu, Raporteri i Posaçëm mirëpret dokumentet e shkruar nga departamentet e qeverisë, shoqëria civile, dëshmitarët dhe familjarët e viktimave, të cilat trajtojnë çështjet që ai heton. Këto dokumente, duke përfshirë statistikat, provat e kriminalistikës, dosjet e çështjeve dhe dokumentet ligjore e ndihmojnë shumë Raporterin e Posaçëm në punën e tij. Nëpërmjet kërkimeve dhe takimeve të tij, Raporteri i Posaçëm kërkon të identifikojë dinamikën, shkaqet dhe pasojat e vrasjeve në vend. Për të vlerësuar nëse qeveria ka reaguar siç duhet ndaj vrasjeve të kryera nga agjentët e saj dhe nga persona të tjerë, Raporteri i Posaçëm ekzaminon edhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë penale (duke përfshirë specialistet e kriminalistikes, prokurorët, gjykatat, mbrojtjen e dëshmitarëve) dhe faktin nëse viktimat janë dëmshpërblyer. Gjatë çdo vizite, qëllimi i Raporterit të Posaçëm është të propozojë reforma specifike dhe konstruktive për të reduktuar vrasjet dhe për të nxitur transparencën dhe përgjegjësinë. Në fund të misioni në vend, Raporteri i Posaçëm jep një deklaratë për shtyp ku përshkruan rezultatet e tij paraprake, përfundimet dhe rekomandimet. Brenda tre muajsh, ai përgatit një raport, i cili paraqet në mënyrë të hollësishme rezultatet e hetimit të tij, përfundimet që ka nxjerrë dhe rekomandimet që ka ai për qeverinë dhe, nëse është e zbatueshme, për komunitetin ndërkombëtar. Ky raport i jepet qeverisë e cila ka kohë dy muaj për të komentuar rreth raportit. Më pas, Raporteri i Posaçëm ia dorëzon raportin përfundimtar Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Raporteri i Posaçëm i raporton çdo vit edhe Këshillit dhe Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për aktivitetet e tjera të tij dhe për metodat e punës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›