Matësi, flakë në godinën e Mjaft!
“Lajmëruam zjarrfikëset, por ato nuk kishin shkumë. U detyruam të ndërpresim energjinë në zonë"
TIRANË- Një defekt i matësit të energjisë elektrike ka shkaktuar zjarr, duke vënë në rrezik jetën e punonjësve të lëvizjes MJAFT!. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:30 të ditës së djeshme, në katin e parë të godinës së lëvizjes MJAFT! që ndodhet pranë rrugës së “Elbasanit” në Tiranë, ku kanë rënë flakët e zjarrit. Punonjësit e lëvizjes ndodheshin në zyrën ku ranë flakët e zjarrit dhe të alarmuar janë larguar menjëherë ndërsa lajmëruan zjarrfikësit. Këta të fundit mbërritën pranë godinës për të bërë të mundur neutralizimin e flakëve të zjarrit. Në vendin e ngjarjes mbërriti dhe policia bashkiake dhe ajo e rendit për të hetuar shkaqet e rënies së zjarrit. Nga hetimet e para rezulton se zjarri ka rënë pas një defekti në sahatin e energjisë elektrike.
Zjarri
Rreth orës 15:30 të pasdites së djeshme, punonjësit e lëvizjes MJAFT! ndodheshin në zyrë në katin e parë të godinës, kur kanë dëgjuar disa shpërthime. Të alarmuar ata kanë dalë nga zyra për t’i shpëtuar ndonjë rreziku të mundshëm. Brenda pak sekondash kanë vënë re se sahati i energjisë elektrike që ndodhej në katin e parë të godinës po merrte flakë. Pasi kanë dalë në oborr konstatuan se flakët e zjarrit ishin përhapur duke bërë që punonjësit të lajmërojnë menjëherë zjarrfikësit. Këta të fundit i janë përgjigjur njoftimit të lëvizjes MJAFT! pas disa minutash. Sipas punonjësve të MJAFT-it, punonjësit e zjarrfikëses kanë tentuar të ndërhyjnë për të shuar zjarrin me ujë, ende pa u shkëputur energjia elektrike duke vënë në rrezik jetën e tyre. “Ndaluam zjarrfikësit të ndërhynin pasi ata mund të rrezikoheshin nga energjia elektrike, kështu kërkuam nga KESH të ndërpriste energjinë për godinën dhe pas kësaj zjarrfikësit ndërhynë”,- tregoi për “Shekullin”, Aldo Merkoçi, koordinator për politikën i lëvizjes MJAFT!, i cili ndodhej në zyrë në momentin që ra zjarri.
Shkaku
Jo vetëm që tentuan të ndërhynin ende pa u shkëputur energjia elektrike por sipas punonjësve të lëvizjes MJAFT!, zjarrfikësit nuk posedonin mjetet e duhura për të shuar flakët e zjarrit. Vetëm me ujë ata kanë mundur të neutralizojnë flakët e zjarrit të cilët po rrezikonin një banesë që ndodhej pranë godinës së MJAFT. Ndërkohë që në vendin e ngjarjes mbërriti edhe policia bashkiake e ajo e rendit për të hetuar shkaqet e rënies së zjarrit. Nga hetimet e para dyshohet se sahati i energjisë elektrik që është montuar rreth një muaj më parë në këtë godinë nukmban kapacitetin e energjisë që përdoret në godinë duke bërë që ajo të shpërthejë e të pasojë me flakët e zjarrit. Ky dyshohet dhe shkaku i rënies së zjarrit në katin e parë të godinës së lëvizje MJAFT! ditën e djeshme që fatmirësisht nuk pati të lënduar në njerëz dhe nuk shkaktoi dëme të mëdha materiale. Koordinatori i lëvizjes Mjaft!, Aldo Merkoçi, rrëfen panikun e shkaktuar nga flakët
Merkoçi: Përpjekjet për t’u lidhur me zjarrfikësit
TIRANË- “Pasi konstatuam rënien e zjarrit, reaguam menjëherë për të lajmëruar zjarrfikësit. Merrnim në telefon, nuk na dilnin, pastaj dilte i zënë. Pas disa minutash përpjekjeje mundëm të lidheshim me zjarrfikësit të cilët mbërritën vetëm me ujë”. Aldo Merkoçi, koordinatori për politikën i lëvizjes MJAFT! tregoi për “Shekullin” se zjarrfikësit tentuan të ndërhynin ende pa u shkëputur energjia elektrike duke rrezikuar jetën e tyre, ndërsa nuk kishin as shkumë e as dhe materiale që zjarrfikësit duhej t’i përdorin në këto situata. Në një intervistë për gazetën, Merkoçi tregon rënien e flakëve të zjarrit, shuarjen dhe shkakun.
Ku ndodheshit në momentin që ra zjarri?
Ndodheshim në zyrë, pikërisht ku është montuar edhe sahati elektrik. Fillimisht dëgjuam disa shpërthime më pas pamë flakët e zjarrit. Dolëm menjëherë nga zyra për t’i shpëtuar rrezikut.
Si reaguat më pas?
Pasi konstatuam rënien e zjarrit, reaguam menjëherë për të lajmëruar zjarrfikësit. Merrnim në telefon, nuk na dilnin, pastaj dilte i zënë, pas disa minuta përpjekjesh mundëm të lidheshim me zjarrfikësit të cilët mbërritën vetëm me ujë. Punonjësit e zjarrfikëses donin të shuanin zjarrin, kur ende kishte energji elektrike. Ata mund të rrezikoheshin nga rryma kështu që ne i ndaluam dhe njoftuam KESH-in të ndërpriste energjinë. Pritëm derisa na njoftuan nga KESH për shkëputjen e energjisë dhe më pas ndërhyri zjarrfikësja. Na u desh të merrnim dhe nga vazot e luleve, pasi ata nuk kishin as shkumë.
Cili ka qenë shkaku i rënies së zjarrit?
Flakët e zjarrit pasuan nga shpërthimi i sahatit të energjisë elektrike. Rreth një muaj më parë është vendosur sahati dhe kapaciteti i tij është më i vogël se sa harxhon godina. Për të zbuluar shkakun mbërriti policia bashkiake e ajo e rendit të cilët dyshuan se ka qenë sahati ai që ka shkaktuar rënien e zjarrit.