E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në Shkodër, vdes në spital 22-vjeçari, viktimave u digjet shtëpia në Theth

Aida Malaj

Dy ditë më parë u vra babai i 22-vjeçarit, Frederik Marku. Policia i kishte shoqëruar në komisariat

Thellohet tragjedia në familjen Marku, e cila dy ditë më parë humbi kryefamiljarin në një pritë, që kishte për objektiv edhe 22-vjeçarin Jurgen Marku. Ky i fundit mbeti i plagosur rëndë dhe u transportua gati pa shenja jete në spitalin rajonal të Shkodrës.  Megjithë përpjekjet e mjekëve, ai nuk ka mundur tu mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë mesditën e sotme.

Ndërkohë policia lokale ka raportuar se mëngjesin e sotëm është djegur banesa e Frederik Markut në Theth si dhe një automjet, i parkuar në oborr. Një banese e tipit alpine është djegur gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm në pikën turistike të Thethit. Shtëpia-bujtinë turistike është pronë e shtetasit Frederik Marku (Brunga), i vrarë dy ditë më parë në një pritë në qytetin e Shkodrës, ku mbeti i plagosur edhe i biri i tij, Jurgen Marku (Brunga). Bashkë me banesën, qe ishte e ndërtuar me konstrukt druri, është djegur edhe një automjet që ndodhej në oborrin e saj, njoftoi policia e Shkodrës.

Shtëpia ka qenë e boshatisur, ndërkohë që i vetmi person që gjendej aty ka qenë një roje i punësuar në atë objekt, i cili ka mundur të largohet menjëherë pa u dëmtuar. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë së Shkodrës si dhe të sektorit të zjarrfikësve, ekspertët e të cilëve po hetojnë rreth shkaqeve të rënies së zjarrit, ku si pistë kryesore mendohet të jetë vendosja me qëllim e zjarrit për arsye hakmarrjeje.

Ngjarja

Pasditen e së enjtes (30 gusht), Frederik dhe Jurgen Marku ka rënë pre e një atentati, fare pranë spitalit rajonal të Shkodrës. Nga përdorimi i armëve të zjarrit, ka vdekur në vend 46-vjeçari Frederik Marku, nga Mirdita, banues në Tiranë, ndërsa i biri, 22-vjeçari Jurgen Marku, është plagosur rëndë. Sipas policisë lokale, shkak i ngjarjes është bërë sherri i një nate më parë në fshatin Theth të Dukagjinit, ku viktima, i cili është dhëndër në këtë fshat dhe kishte nisur ndërtimin e një hoteli në zonën turistike, ka pasur një konflikt me një banor të zonës.

Konflikti ka qenë një grindje e çastit e të birit të viktimës me një shokun e tij. Pasi janë përleshur fizikisht, viktima ka shkuar për ti dalë zot të birit dhe ka goditur me qytë pistolete shokun e djalit. Pas ngjarjes, të dyja palët janë shoqëruar në polici, ku kanë qëndruar gjithë natën dhe janë nxjerrë nga policia mesditën e së enjtes. Por vetëm dy orë pasi kanë dalë nga ambientet e policisë, u qëllua për vdekje 46-vjeçari Frederik Marku dhe  u plagos rëndë i biri, Jurgen Marku.

Një ditë pas ngjarjes së dyfishtë, policia arrestoi shtetasin Leonard Nika, 25 vjeç, banues i lagjes Tre Heronjtë në Shkodër, si autor i dyshuar i ngjarjes, ndërkohë që shpallur në kërkim një tjetër, si bashkëpunëtor në krim. Nika, nuk ka pranuar se është ai autor i ngjarjes, por sipas policisë ka informacione të sakta se personi i arrestuar është bashkautor në vrasje.

1 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)

Vrasja në Shkodër, vdes në spital 22-vjeçari, viktimave u digjet shtëpia në Theth burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›