E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata dhe prokuroria, dështon misioni

Sokol Çobo

Krimet e Rënda

Pas 8-vjetorit, kjo strukturë nuk heton dosjet e rëndësishme. 21 janari e Gërdeci, te gjykatat e rrethit

Pas tetë viteve jetë, Gjykata dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda janë në dyshim për ekzistencën e tyre. Megjithëse bartin emrin Krimet e Rënda, kjo strukturë, e ngritur më 1 janar 2004, heton dhe gjykon tashmë disa çështje të trafikut të drogës në flagrancë dhe të gjobëvënës, megjithëse nuk mund të konsiderohen të rënda. Krime të rënda kanë ndodhur dy muajt e fundit në të gjithë Shqipërinë, mjafton të kujtojmë se janë vrarë dhjetëra persona në ekzekutime mafioze dhe kriminale, sa në Tiranë, Elbasan, Fier, Vlorë e Shkodër, ndërsa Gjykata dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk kanë kryer asnjë hetim dhe gjykim. Tashmë, të gjithë ngrenë pyetjen se kush është krim i rëndë që duhet të hetojë kjo strukturë, pasi në vend po dëgjojmë përditë vrasje, madje nga dy-tre persona dhe asnjë prej tyre nuk është konsideruar krim i rëndë.

 

Diskutimet

Burime nga gjykata dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda pohojnë se duhet një ndryshim i ligjit për funksionimin e kësaj strukture. Pas vendimeve për disa banda, si ajo ndaj Aldo Bares apo ndaj bandave të Durrësit, ku vihej re një ashpërsim i dënimeve, shumë prokurori dhe gjykata të rretheve nuk deleguan më çështje. Madje, as Prokuroria e Përgjithshme, përkatësisht Drejtoria e Hetimeve, nuk analizoi më saktë këto çështje, duke sjellë një anashkalim ndaj kësaj strukture, e cila në vitet 2008-2010, kishte në hetim dhe gjykim disa banda kriminale. Interesat politiko-financiare të disa çështjeve kanë sjellë këtë situatë te Krimet e Rënda. Ndërsa, bashkëpunimi i pakët me policinë për hetimin dhe goditjen e krimit të organizuar, solli që prokurorët dhe gjyqtarët e Krimeve të Rënda të përfundojnë me çështje ordinere të trafikut të hashashit. Mjafton që sasia e drogës të jetë sekuestruar afër kufirit dhe çështja kalon automatikisht te Krimet e Rënda, pavarësisht sasisë. Shpeshherë, në takimet e përbashkëta, është kërkuar që të ketë një limit për sasinë e drogës që të hetohet nga Krimet e Rënda.

Kërkesat

Gjyqtarët dhe Prokurorët e Krimeve të Rënda kanë kërkuar që të ndryshojë kompetenca e gjykimit, duke u vendosur përsëri ato lloj veprash penale që ishin parashikuar që në krijimin e tyre dhe çdo vepër penale që parashikon dënim me burgim jo më pak se 15 vjet, pasi ato vërtet përbëjnë krime të rënda, janë problematike për shoqërinë tonë, si dhe janë të përballueshme nga ana sasiore e cilësore nga këto gjykata. Gjithashtu kërkojnë ndryshim të kuadrit të plotë ligjor për Luftën Kundër Krimit të Organizuar, rishikimin e Kodit Penal për disa figura të veprave penale në kompetencë të Gjykatës për Krime të Rënda, rishikimin e K.Pr.Penale dhe sidomos të raporteve gjykatë-palë, të disa afateve dhe të afateve të paraburgimit për të pandehurit që akuzohen për krime të rënda.

21 janari dhe Gërdeci

Dy nga dosjet më të rëndësishme në Shqipëri kanë qenë padyshim çështja Gërdeci dhe 21 janari, ku në të dyja ngjarjet, ajo e 15 marsit 2008 dhe 21 janari i 2012-s vdiqën mbi 30 persona. Me gjithë bilancin e luftës çështjet u hetuan nga Prokuroria e Tiranës dhe nuk u klasifikuan si ngjarje të rënda, ku kompetencë ishin Krimet e Rënda. Sipas burimeve nga akuza qendrore, klasifikimi i veprave penale për këto dy çështje ka qenë vrasja, por nuk kanë pasur cilësi, megjithëse ishin ndaj dy ose më shumë personave. S.Çobo

Gjykata dhe prokuroria, dështon misioni burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›