E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panariti pret ambasadorin Sequi: Mbyllni reformat para progres-raportit

Tiranë- Në kuadër të vizitës që do të zhvilloj javën e ardhshme në Bruksel, ministri i Jashtëm, Edomod Panariti, ka patur sot një takim me ambasadorin e BE- së në Tiranë, Etore Sequi.

Sipas zyrës së shtypit të MPJ- së, Panariti ka informuar diplomatin evropian mbi ecurinë e plotësimit të kushteve nga ana jonë për marrjen e statusit kandidat në BE.

Ai tha se, pavarësisht debateve në gjirin e politikës shqiptare, një objektiv i unifikuar i saj është integrimi i vendit në Bashkimin Evropian, pasi kjo është një aspiratë e të gjithë popullit shqiptar. Më tej, ai nënvizoi hapat konkret të ndërmarrë në drejtim të reformës zgjedhore, çështjes së imunitetit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformës administrative dhe asaj në sistemin gjyqësor. Gjithashtu, ai vlerësoi rolin aktiv dhe mbështetjen inkurajuese të Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe të Komisionit Evropian në avancimin e agjendës integruese të Shqipërisë, duke siguruar për vazhdimin e zbatimit në kohë dhe efikas të reformave në proces, sipas Planit të Veprimit të gjithëpranuar- thueht në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Jashtme.

Ndërsa Sequi ka kërkuar që reformat të përfundojnë, para hartimit të raportit të progresit nga ana e Komisionit në tetor të këtij viti. Gjithashtu, ai rikonfirmoi mbështetjen nga ana e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, si dhe të Komisionit në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

K.Topalli/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›