Vrasja në Tiranë, Burgaj takim me drejtues të lartë të policisë
Policia ende nuk ka asnjë të dyshuar për vrasjen makbre të ndodhur pranë ish-Fushës së Aviacionit në Tiranë, ku mbeti e vdekur një 37 vjecare dhe u plagos motra e saj. Burime policore thonë se deri më tani janë shoqëruar mbi 100 persona, por autorët ende nuk janë identifikuar.
Fatbardha Tafaj banore e një fshati në Shijak kishte ardhur në Tirane tek motra për vizitë dhe ndërsa po dilnin për shëtitjen e darkës u sulmuan nga dy të rinj me motor. Ndërkohë banorët e ish- Fushës së Aviacionit vazhdojnë të jenë të tronditur për ngjarjen.
Një ditë pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, mblodhi urgjentisht drejtuesit më të lartë të policisë. Kreu i uniformave blu tha se po punohet për të zbardhur ngjarjen. Me herët nga Komisariati i policisë numër 6 në Tiranë ka arrestuar dy grabitës që nuk kanë lidhje me ngjarjen e një ditë me parë. Policia tha se Flamur Puci dhe Lirim Cekici, të dy nga Dibra, prej kohësh grabisnin sendet personale te qytetarëve të Tiranës. Ata u prangosën teksa po tentonin të grabisnin dy gra në lagjen “Misto Mame”.