Vodhën kompjuterët, arrestohen 6 adoleshentë
Korçë, të miturit kishin kohë që grabisnin shkollat e qytetit duke marrë prej tyre pajisje elektronike të ndryshme
KORÇË
- Gjashtë adoleshentë nga qyteti i Korçës janë arrestuar nga policia vendase të akuzuar si pjesëtarë të një bande që grabiste kompjuterët nëpër shkolla. Policia ka punuar gati dy muaj për të zbuluar autorësinë e grabitjes në masë të shkollave të qytetit, ku hajdutët në të gjitha rastet kishin në shënjestrën e tyre vetë kompjuterët të cilat më pas i shisnin në treg me çmime të favorshme. Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë së Korçës operacioni është organizuar gjatë mbrëmjes të të premtes dhe paradites të të shtunës për të çuar në pranga gjashtë, të rinj të cilët janë kapur në mënyrë shumë të organizuar pas provimit të vjedhjeve në të cilat kanë lënë nga pakujdesia gishtat e tyre. Kështu sipas të njëjtave burime zyrtare mësohet se Th.N. 15 vjeç, banor i lagjes 18 të qytetit, A.C 15 vjeç, edhe ky banor i lagjes 18 në Korçë, M.P. 16 vjeç, banor i lagjes 12 po në këtë qytet, J.J. gjithashtu 15 vjeç, nga lagja 12, C.H. 14 vjeç si dhe N.L. 15 vjeç, janë autorët e vjedhjeve në shkollën 9- vjeçare “Mësonjëtorja e Parë Shqipe”, shkollën tjetër po 9- vjeçare “Stavri Themeli” si dhe shkollën po 9- vjeçare “Sotir Gura” në të cilat kanë vjedhur më shumë se 10 kompjuterë si dhe autorë të një grabitjeje në një banesë në lagjen 3 të qytetit ku kanë vjedhur kompjuterin e shtëpisë si dhe disa bizhuteri. Adoleshentët që ishin kthyer në “tmerrin” e kompjuterëve në shkollat e qytetit pasi studionin shënjestrën e tyre krijonin më pas planin e tyre të përbashkët ku me anë të thyerjes nëpërmjet dritareve kryesisht hynin brenda në shkolla gjatë orëve të natës duke nxjerrë prej andej me shpejtësi të gjitha kompjuterët që i gjenin më me lehtësi pasi kishin marrë informacionin e duhur përvendin ku ato ndodheshin dhe masat e sigurisë që kishin ato në rast se ekzistonte. Policia i ka arrestuar minorenët gjatë kohës që ata kanë qenë në shtëpi gati në të gjitha rastet, ndërsa në asnjë rast nuk janë përballur me kundërshtinë e të rinjve hajdutë që kishin gjetur një mënyrë krejt origjinale për të përfituar të holla duke mos rënë as në sy të prindërve të tyre.