E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në Tiranë, hetim në Holandë

Sulejman Haxhiu, i vrarë të hënën në Tiranë

Hetimet për zbardhjen e vrasjes së 50-vjeçarit Sulejman Haxhiu mbrëmjen e së hënës në Tiranë, shtrihen në Holandë.Oficerët e grupit hetimor të Policisë dhe Prokurorisë së Tiranës kanë nisur procedurat për dërgimin e një letër-porosie për autoritetet policore të Holandës, ku do të kërkohet informacion për Sulejman Haxhiun dhe djalin e tij që ka emigruar në këtë vend. Sipas burimeve, në këtë mënyrë policia ka kërkuar të dhënat e nevojshme nga dosja hetimore për vrasjen e Artan Haxhiut, djalit të viktimës, i cili është ekzekutuar rreth dy vite më parë. Policia ngriti edhe një pistë tjetër hetimore për vrasjen e së hënës në Tiranë, që lidhej me një konflikt të dhunshëm që Sulejman Haxhiu ka pasur dy javë më parë me disa djem, që dyshonin për një lidhje jashtëmartesore të viktimës me nënën e tyre. Kjo pistë u hodh poshtë pasi nuk rezultoi se personat me të cilët ishte konfliktuar 50-vjeçari të kishin lidhje me vrasjen e tij. Burime të rezervuara thanë se të dyshuarit u shoqëruan menjëherë pas vrasjes së Haxhiut dhe gjatë përgjimeve ambientale rezultoi që ata jo vetëm nuk kishin lidhje me ngjarjen, por nuk kishin dijeni as për çfarë kishte ndodhur. Në këto rrethana, grupi hetimor tashmë po punon vetëm në një drejtim, në një lidhje të mundshme që mund të ketë vrasja e Sulejman Haxhiut me vrasjen e djalit të tij, Artan Haxhiu, rreth 2 vjet më parë, në Holandë. Zyrtarisht, Policia e Tiranës e ka cilësuar ngjarjen si vrasje me motive hakmarrjeje, edhe pse ende nuk ka asnjë person të dyshuar si autor të saj. Nga hetimet e kryera deri tani nga specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, dyshohet se vrasja është kryer për motive hakmarrje, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Tiranës.
VERIFIKIMET
Grupi hetimor që po punon në drejtim të zbardhjes së vrasjes së Sulejman Haxhiut mbrëmjen e së hënës në Tiranë, u kthye mëngjesin e djeshëm sërish në vendin e ngjarjes. Oficerët e policisë këqyrën sërish lokalin loto-sport ku ndodhi ngjarja, si dhe morën në pyetje persona të njohur të viktimës dhe dëshmitarë, pasi dyshimet paraprake të policisë flisnin për një vrasje me pagesë. Por, pas rindërtimit të skenës së krimit, ekzaminimit të provave dhe ripyetjes së dëshmitarëve, rezulton që autori i vrasjes nuk është profesionist, gjë që hodhi poshtë idenë e një ekzekutimi të paguar dhe të porositur.
VRASJA
Të hënën, rreth orës 21:30, kur 50-vjeçari Sulejman Haxhiu po priste bashkë me disa shokë të tij që të shihte ndeshjen e futbollit në një lokal loto-sport, në katin e parë të pallatit ku banonte, një person është futur dhe i ka drejtuar armën pa folur me asnjë njeri tjetër. Autori e ka shkrepur pistoletën gjashtë herë, duke e goditur Haxhiun në trup dhe menjëherë është larguar me nxitim nga lokali. Autori ka lëvizur në këmbë nga lokali, në rrugicën që të çon drejt bllokut të ambasadave, e më pas ka dalë në Rrugën e Kavajës me një makinë, ku e priste një person tjetër. Haxhiu është transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, por nuk ka mundur të mbijetojë, duke ndërruar jetë gjatë rrugës.

Djali i viktimës u vra dy vjet më parë në Holandë

Grupi hetimor ka verifikuar se i vrari i së hënës në Tiranë, shtetasi Sulejman Haxhiu, ishte person pa precedentë penalë dhe nuk rezultoi që të kishte marrë hak për vrasjen e të birit në Holandë. Megjithatë, e vetmja pistë që po verifikohet për të shpjeguar motivet e ngjarjes është veprimtaria e djalit të tij jashtë kufijve të Shqipërisë. Dhe sipas policisë, vrasja e babë e birë, pavarësisht se kanë ndodhur në një distancë kohore 2-vjeçare, janë të porositura nga të njëjtët persona. Lidhur me vrasjen e Artan Haxhiut në Holandë, policia ka pyetur familjarët e tij, por, nga ana tjetër, kërkon edhe ndihmën e autoriteteve holandeze. Ajo që dihet paraprakisht është fakti se Artan Haxhiu u vra rreth dy vjet më parë, pasi dyshohet të ishte përfshirë në trafiqe të paligjshme, kryesisht trafik droge. Por edhe në Shqipëri, emri i Artan Haxhiut rezulton në disa dosje policie, kryesisht në vitet 2000-2003. Sipas burimeve nga Policia e Tiranës mësohet se përgjatë tre viteve të lartpërmendura, Haxhiu ka qenë i përfshirë në grabitje automjetesh dhe pengmarrje. Në këtë mënyrë, policia po verifikon veprimtarinë e të birit, për të zbardhur rrethanat e vrasjes së babait të tij.

AUTORI

Policia ka ripyetur dëshmitarët e vrasjes së Sulejman Haxhiut, persona që ndodheshin në tavolinë me të, por edhe në të njëjtin lokal, për të përshkruar autorin e ngjarjes. Nga deklarimet rezulton që ai të jetë një djalë rreth 30 vjeç, por asnjë prej dëshmitarëve nuk ka mundur të fiksojë tiparet e tij, që mund të ndihmonin në ndërtimin e identikitit, pasi sipas tyre, autori mbante një kapuç të zi në kokë, që e kishte ulur deri poshtë syve.

FAMILJA

Viktima Sulejman Haxhiu, 50 vjeç, ishte i punësuar prej disa vitesh si shofer në një prej televizioneve në Tiranë. Ai jetonte në pallatin pranë lokalit ku mbeti i vrarë mbrëmjen e së hënës, bashkë me bashkëshorten dhe vajzën e tij të vetme. Haxhiu ishte babai i dy fëmijëve të rritur, por djali i tij, Artan Haxhiu, u vra rreth dy vite më parë në Holandë. Ceremonia mortore u zhvillua dje dhe nisi në orën 15:00, kur kortezhi mortor u drejtua për tek Varrezat e Sharrës.

Etleva Delia

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›