Vlorë, grabitet me maska e armë banka

Banka ku ndodhi grabitja e djeshme
Grabitet në mes të ditës me maska dhe armë një bankë në qytetin e Vlorës.Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 kur tre persona të maskuar u futën të armatosur në filialin e ProCredit Bank në zonën e vendit të quajtur Tregu i orizit, duke marrë një shumë të konsiderueshme parash.
Punonjësit e bankës, të gjendur në befasi, e kanë pasur të pamundur të reagojnë, pasi personat i kanë kërcënuar se do ti qëllonin nëse do të bënin tentativë rezistence apo për të dhënë alarmin. Sipas dëshmisë së punonjësve të bankës, dhënë në polici pas ngjarjes, nën kërcënimin e armës tip pistoletë, personat e maskuar i kanë detyruar ata të mos lëvizin. Më pas kanë detyruar me pistoletë tek koka edhe punonjësen e arkës, që tu dorëzonte të gjitha paratë që ndodheshin në të. Burime të Policisë bënë të ditur se ende nuk është konfirmuar shuma e parave të grabitura, por paraprakisht dyshohet se personat kanë arritur të marrin rreth 700 mijë lekë. Gjithçka ka ndodhur në harkun kohor të pak minutave e më pas personat kanë dalë nga banka me shpejtësi me një çantë në dorë, duke u futur në mes të pallateve pas bankës. Roja i sigurisë si dhe punonjësit e tjerë kanë njoftuar policinë për ngjarjen, por edhe pse kjo e fundit arriti shumë shpejt në vend, nuk arriti të kapë grabitësit. Grupi i hetimit kreu ekspertizën e nevojshme, me qëllim për të identifikuar gjurmë të mundshme të autorëve të lëna në vendin e ngjarjes. Gjithashtu u morën në pyetje edhe punonjësit e bankës, të cilët rrëfyen gjithçka kishte ndodhur sa hap e mbyll sytë dhe se ata, nën kërcënimin e armës, nuk kishin arritur të ndalonin personat.
Policia shoqëroi disa nga punonjësit e bankës për tu marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen si dhe disa tregtarë që kryejnë aktivitetin e tyre në afërsi të bankës. Gjithashtu, janë shoqëruar edhe disa persona të regjistruar si kontigjentë vjedhjesh në qytet, por pasi janë marrë në pyetje, ata janë lënë të lirë. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se është sekuestruar edhe kaseta filmike e kamerës së sigurisë, por për shkak se autorët kanë qenë të maskuar, identifikimi i tyre nëpërmjet pamjeve është mjaft i vështirë. Gjatë këtij viti, ky është rasti i tretë i grabitjes së bankave në qytetin e Vlorës, por nuk kanë munguar edhe tentativat. Dyshohet se grabitësit mund të kenë lënë makinën në brendësi të lagjes pas bankës dhe janë larguar me të pas krimit të kryer. Por nuk përjashtohet mundësia që autorët të jenë banorë të lagjes dhe mund të jenë futur menjëherë në banesa, pasi kanë grabitur paratë. Mësohet se roja i sigurisë ka qenë brenda në bankë si edhe dy klientë të tjerë, të cilët janë marrë në pyetje si dëshmitarë. Roja nuk është i pajisur me armë, por vetëm me një radio, të cilën nuk ka arritur ta përdorë për të dhënë alarmin e grabitjes.
Policia, sekuestro kasetës filmike
Policia e Vlorës ka nisur hetimet për ngjarjen që ndodhi në mes të ditës në këtë qytet. Veç dëshmisë së punonjësve dhe dy klientëve që janë ndodhur në atë moment në bankë, blutë kanë si provë materiale edhe kasetën filmike të kamerës së sigurisë. Megjithatë, identifikimi nëpërmjet pamjeve është i vështirë, pasi autorët kanë qenë të maskuar.
Durrës, dhunohet e grabitet punëtori i karburantit
DURRES – Rrihet barbarisht dhe grabitet punëtori i një pike karburanti në autostradën TiranëDurrës. Dy persona me maska pasi kanë goditur me mjete të forta punëtorin i kanë marrë atij një shumë rreth 500 mijë lekë. Policia bën të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 05.00 të së hënës në autostradën Tiranë-Durrës. Autorët mësohet se i janë afruar pikës së karburantit dhe kanë goditur me mjete të forta punëtorin, ndërsa ky i fundit ka ngelur i shtrirë përtokë pa ndjenja. Ata e kanë kontrolluar dhe i kanë marrë të gjitha paratë që kishte me vete, duke u larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Ndërsa kanë lënë pa ndjenja dhe në mëshirë të fatit punëtorin, ky i fundit fatmirësisht është gjetur nga kalimtarët e rastit. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur policia dhe inspektorët e krimeve dhe duke bashkëpunuar ngushtë edhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak si dhe me Prokurorinë e Rrethit, bënë të mundur ndalimin e dy shtetasve të dyshuar si autorë të grabitjes. Në pranga janë vënë Elsid Beja, 22 vjeç, banues ne Koxhas Durrës si dhe Mentor Çiku, 29 vjeç, banues në Sukth Durrës. Përmes një njoftimi për shtyp, policia bëri të ditur se dy personat dyshohet të jenë autorë të ngjarjes, ndodhur në afërsi të Sukthit. l.m
VLORE/ QEMAL BIRAKU