Mori peng biznesmenin për borxhin, në gjyq rrëmbyesi
TIRANE – Gjykata e Tiranës pritet të nisë gjykimin e një 32-vjeçari që në dhjetor të vitit të kaluar “rrëmbeu” një person tjetër për shkak të një borxhi të papaguar. Prokuroria e kryeqytetit mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim dosjen me të pandehur Mensur Litën. Sipas Prokurorisë, Lita akuzohet për veprën penale të “heqjes së paligjshme të lirisë së personit” në dëm të shtetasit Nazmi Pepa. Në dhjetor të vitit të kaluar Lita dyshohet se e ka futur me forcë Pepën në automjetin e tij në Laprakë dhe e ka “liruar” pak orë më pas në një varrezë automjetesh, në afërsi të fshatit Domje, Tiranë. Depozitimi i dosjes u pohua nga burime zyrtare të Gjykatës së Tiranës, sipas të cilave ajo është regjistruar në numrin 1390 në kryesekretarinë e institucionit. Po sipas burimeve, shorti elektronik i gjykatës ka përzgjedhur gjyqtarin Albert Meça, si togën e zezë që do të kryesojë këtë shqyrtim gjyqësor. Pak ditë më parë, në Gjykatën e Tiranës mbërriti edhe dosja ku i pandehur është i “lënduari” nga Mensur Lita. Sipas Prokurorisë, Nazmi Pepa akuzohet për mashtrimin e Litës. Gjithë “strumbullari” i ngjarjes për të cilën akuzohet Mensur Lita ishte një borxh i papaguar prej 27 milionë lekësh të vjetër nga ana e Nazmi Pepës. Për këtë shkak, pasditen e 18 dhjetorit 2010, Mensur Lita, pasi ka takuar Nazmi Pepën në një lokal përballë shkollës “Aleks Buda” në Laprakë, e ka futur atë me forcë në automjetin e tij. Kur kanë arritur në një varrezë makinash pranë Domjes, pronë e Litës, Nazmi Pepa ka kontaktuar me familjarë të tij në lidhje me kthimin e një shume parash ndaj të akuzuarit. Ngjarja fillimisht u dyshua nga policia si pengmarrje. Por më pas, pasi u ndaluan nga policia të dy “protagonistët”, u nis një procedim penal edhe ndaj Nazmi Pepës për akuzën e “mashtrimit”. Më vonë rezultoi se Pepa i kishte marrë hua Litës një shumë prej 2.7 milionë lekësh, duke nënshkruar një kontratë huaje noteriale, ku përcaktoheshin interesat dhe këstet mujore. Në vijim Pepa kishte paguar vetëm dy këstet e para të huas dhe më pas nuk kishte paguar më. Po sipas hetimeve rezultoi se Pepa, që aktualisht akuzohet për “vjedhje të pasurisë nëpërmjet mashtrimit”, vendoste si garanci të huave të tij një pronë ku ishte bashkëpronar. ar.ba