Vlorë, trageti rinis punën, pasi paguan gjobën 300 euro në ditë
VLORE – Rifillon punën trageti Agoudinos Lines, 14 ditë pas largimit nga Porti i Vlorës. Sipas burimeve nga Porti dhe kapiteneria, ndaj thyerjes së rregullave dhe shkeljes së kontratës, është marrë masa e vendosjes së gjobës për agjencinë e tragetit. Si masë administrative është vendosur një gjobë 300 euro për çdo ditë mungesë. Por gjithashtu janë përmirësuar edhe disa pika të kontratës. Ministria përkatëse, si dhe Porti i Vlorës kanë vendosur të ashpërsojnë sanksionet ndaj shkeljeve të kontratave nga ana e agjencive të trageteve. Burime nga Porti bënë të ditur se një nga pikat më të ashpra që do të ndryshojë, është gjobitja me 1500 euro në ditë dhe jo me 300 euro, ashtu sikurse është vepruar deri më tani. Në rast përsëritjeje është sanksionuar një gjobë me 3000 euro në çdo ditë mungesë e deri në heqjen e licencave përfundimtare, nëse trageti thyen kontratën në mënyrë të ripërsëritur. Trageti është lënë i lirë për të rifilluar punën në linjën Vlorë- Brindizi dhe anasjellas, pasi ka paguar gjobën në bankë. Përfaqësuesit e tragetit janë shprehur se kanë qenë në riparim në një nga Portet e Greqisë, por ata janë kthyer brenda afateve të përcaktuara në kontratë, pra brenda 14 ditëve. Ndërsa trageti Veronica ende nuk është kthyer në Portin e Vlorës. Tashmë ndaj saj do të merret masa e heqjes së licencës, pasi i ka kaluar 14 ditë, sipas rregullores dhe lidhjes së kontratave reciproke. Sipas burimeve konfidenciale në Port, ky traget ka shkuar në Libi, duke qenë se aty ka fitime më të mëdha për momentin. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë nëse trageti Veronica do të kthehet në Portin e Vlorës, në se do të lejohet, apo jo të rifillojë punën. Me linjën e tragetit Vlorë- Brindizi që nisi punën dje, kanë udhëtuar disa pasagjerë si dhe janë imbarkuar mjete, kryesisht maune. q.b