Arrestohet i plagosuri për krimin në pyll
PESHKOPI Dy persona janë shoqëruar nga Policia e Dibrës për ngjarjen e rëndë të ndodhur në pyjet e saj. Policia ka vazhduar hetimet për zbardhjen e vrasjes së ndodhur në Lurë të Dibrës, ku humbi jetën 32-vjeçari Nuri Kaci. Policia njoftoi mbrëmë se dy persona janë shoqëruar nga efektivët e Policisë Peshkopi si dhe është lëshuar urdhër-arresti për autorin e dyshuar të ngjarjes. Vrasja e Nuri Kacit ka vënë në lëvizje Policinë e Dibrës dhe Prokurorinë e Rrethit. Fillimisht u hodhën dyshime se vrasja e Kacit është kryer nga 30-vjeçari, Faslli Hoti, ndërkaq plagosja e këtij të fundit u interpretua si ngjarje e ndodhur nga viktima ose si vetëplagosje. Dje, grupi hetimor ka hedhur dyshime të forta se persona të tjerë janë përfshirë në vrasjen e 32-vjeçarit. Burime të rezervuara informacioni pohuan se është shoqëruar në të gdhirë të ditës së djeshme R. Hoti, 28 vjeç, vëllai i Fallsi Hotit dhe kushëriri i tij, A. Hoti, 26 vjeç. Zhdukja e armës së krimit, e cila shkaktoi vrasjen e Nuri Kacit, ngriti dyshime se të tjerë persona janë përfshirë në këtë konflikt të armatosur. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, marrja e dëshmive, zbulimi i vendndodhjes së personave të afërm të Hotit në momentin e vrasjes, ka bërë që dje të shoqërohen dy të dyshuarit për vrasje. Po ashtu thuhet se i dyshuari për vrasjen e Kacit, Faslli Hoti, është nën mbikëqyrjen e Policisë së Shtetit dhe mbi të rëndon akuza e vrasjes në bashkëpunim. h.p