E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, ja si shpërndahet kokaina

Dy të rinjtë nga Tirana, të arrestuar tri ditë më parë në Durrës për akuzën prodhim dhe shitje të narkotikeve, ishin vënë prej kohësh në shënjestrën e policisë, pas dyshimeve se shpërndanin drogë.Më 25 janar të këtij viti, të arrestuarit Eni Dervishi dhe Elvis Mustafa akuzohen se i kanë shitur 5 gramë lëndë narkotike të llojit kokainë një informatori të policisë. Droga e blerë është sekuestruar nga policia, ndërkohë që çdo veprim i të dyshuarve është përgjuar, filmuar dhe fotografuar. Eni Dervishi dhe Elvis Mustafa u arrestuan në bazë të një vendimi të Gjykatës së Tiranës të pak ditëve më parë, që caktoi për ta në mungesë “arrest me burg”. Në vijim publikohet një pjesë e vendimit të gjykatës, ku jepet blerja e stimuluar e një sasie droge tek të rinjtë në muajin janar. “Nga përgjimet dhe raportet e shërbimit (vëzhgimet), rezulton se më dt. 24.01.2011, në lokal ‘P’ në Tiranë, Eni Dervishi është takuar me agjentin nën mbulim, i cili kërkon blerjen e një sasie lënde narkotike të llojit kokainë. Nga përmbajtja e bisedës së përgjuar del qartë se Dervishi merr përsipër gjetjen e lëndës narkotike nëpërmjet shokut të tij, i quajtur ‘Visi’ dhe i identifikuar si Elvis Mustafa. Më datë 25.01.2011, në bar ‘Th’ në Durrës, Eni Dervishi fillimisht takohet me informatorin. Më pas në tavolinë ulet Elvis Mustafa, i cili merr përsipër shitjen e një sasie 5 gramë lëndë narkotike kokainë, personit të paraqitur si blerës i saj. Pas pak ata kanë shkëmbyer numrat e telefonit. Ata kanë rënë dakord që Visi t’i shiste informatorit një sasi prej 5 gramësh kokainë. Nëse malli do të ishte cilësi e mirë, blerësi do të blinte një sasi tjetër më të madhe. Pas bisedës së bërë blerësi dhe personi i quajtur ‘Visi’ janë ngritur nga lokali dhe kanë filluar të ecin në këmbë deri tek Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës. Aty po i priste një automjet i tipit ‘Peugeot 206′, me shofer një djalë, i cili mbante një kapuç në kokë, i moshës rreth 33 vjeç, i paidentifikuar. Kanë hipur te automjeti në fjalë dhe janë nisur në drejtim të Amfiteatrit të Durrësit. Në vijim kanë ndaluar automjetin në një rrugicë. Blerësit i kanë thënë t’i priste aty. Visi dhe shoferi i automjetit janë futur te kjo rrugicë me qëllim për të marrë mallin. Pas pak janë kthyer. Visi i ka dhënë sasinë prej 5 gramësh kokainë agjentit në mbulim. Ky i fundit i ka dhënë shumën e parave prej 35 000 lekësh të rinj. Pas kësaj janë ndarë nga njëri-tjetri dhe e kanë lënë të takohen së shpejti për të blerë sërish lëndë narkotike kokainë”, thuhej në vendim.

Belgët: Kokainë në vajin e palmave, e kapëm pa hyrë në Shqipëri

TIRANE Policia dhe prokuroria belge ka njoftuar palën shqiptare se një ngarkesë me 200 kilogramë kokainë është parandaluar të hynte në Shqipëri dy javë më parë. Bëhet fjalë për një maune të ngarkuar me një sasi vaji palme e cila ishte destinuar për të mbërritur në Shqipëri ku do të përdorej për vaj palmash. Pikërisht brenda vajit të palmave, sipas hetimeve, ishte tretur një sasi prej 200 kilogramë kokainë e cila duhej të mbërrinte në Shqipëri. Pikënisja e ngarkesës mësohet se ka qenë në Spanjë ndërkohë që ndërsa maunja po kalonte në Belgjikë, policia belge e cila kishte informacion për drogën, ka kryer kontroll dhe më pas ka ndërruar enët e mëdha prej druri ku ishte tretur droga. Pas ndërrimit të ngarkesës maunia vazhdoi rrugën për në Shqipëri e ngarkuar me ujë ndërsa mjeti u bllokua në Gjirokastër ku u ndaluan e më pas u lanë të lirë 4 persona. Më pas, pala belge ka analizuar lëndën e gjetur në enët prej druri që ishin hequr nga manurja që do të mbërrinte në Shqipëri, sipas ekspertizës, ka dalë se në vajin e palmave ishte fshehur vërtet sasi lënde narkotike kokainë.

ARMAND BAJRAMI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›