Vrasja në Tiranë, policia: Ngjarja për konflikte të mëparshme

Policia e kryeqytetit ka sqaruar sot rrethanat e vrasjes së 32-vjeçarit dhe plagosjes së dy personave të tjerë gjatë mbrëmjes së djeshme në Tiranë. Në një deklaratë për shtyp policia thekson se rreth orës 22.00, në rrugën "Ismail Qemali" në Tiranë, është vrarë me armë zjarri pistoletë shtetasi Nadien Zeneli 32 vjeç, lindur në Ternovë Dibër e banues në Fushë Krujë, si dhe janë plagosur shtetasit Tafë Mandri 23 vjeç, lindur në Shumat Dibër e banues në Paskuqan Tiranë si dhe shtetasi Bledar Miho 25 vjeç, lindur në Qafë Murre Dibër e banues në Tiranë, të cilët u dërguan menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë dhe momentalisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sipas policisë dyshohet se autor i vrasjes dhe i plagosjes së dyfishtë të jetë një person, ku mendohet se kjo ngjarje të ketë motiv, konflikte të mëparshme të viktimës.
Ndërkohë, që në vëndngjarje në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri e tipit Pistoletë e markës Rossi, armë e cila u gjend në trupin e viktimës, si dhe disa gëzhoja në vendngjarje.
Ndërkohë materialet për këtë ngjarje do t`i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku në bashkëpunim me këtë të fundit vazhdon pune hetimore në drejtim të zbardhjes tërësisht të rrethanave dhe motiveve të kësaj ngjarje të rëndë, me synim kapjen e autorit.