E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në xhami, dëshmitari: E pashë skenën, viktimën e kishte zhveshur

LUSHNJE - Zbulohet në orët e vona të mbrëmjes autori i krimit në xhaminë e fshatit Dushk-Sektor, ku pasditen e së premtes u vra me thikë 86- vjeçari Shemshir Muça. Ai është Arjan Alla nga po i njëjti fshat dhe është arrestuar nga policia, ndërsa burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se ai e ka pranuar vrasjen. “Pas vrasjes së shtetasit Shemshir Muça, menjëherë u ngrit grupi i punës i kryesuar nga prokurori dhe me specialistë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier dhe Komisariatit të Policisë Lushnjë, për zbulimin dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë. 

Pas një pune të mirorganizuar dhe të specializuar, të bazuar në prova dhe fakte, është arritur në përfundimin se autori i dyshuar për këtë vepër të rëndë është shtetasi Arjan Shyqyri Alla, 38 vjeç, lindur dhe banues në Dushk-Sektor, Lushnjë, emigrant në shtetin grek që prej 15 vitesh. Alla u ndalua për veprën penale “vrasje me dashje”, parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal. Motivi i kësaj ngjarjeje të rëndë dyshohet se është për motive të dobëta”, u deklarua mbrëmë vonë nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, duke shtuar se materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnjë për veprime të mëtejshme. Sa i përket shkakut të vrasjes së të moshuarit nga 38-vjeçari,

Policia nuk jep detaje, por burime nga grupi hetimor zbardhin skemën e krimit për gazetën “Panorama”. Sipas tyre, Arjan Alla sapo ishte kthyer atë ditë nga Greqia dhe thuajse nuk e njihte kush në fshat, për shkak se dy dekadat e fundit i kishte kaluar në shtetin helen. Nuk dihet se çfarë arsyeje e ka shtyrë 38- vjeçarin që të shkojë në xhami atë të premte pasdite, por duket se 86-vjeçari nuk e ka pritur aspak mirë praninë e tij.

“Sapo më pa brenda xhamisë, nisi të më bënte dhjetëra pyetje përnjëherë. Kush isha, i kujt isha, pse isha aty etj. dhe më pa gjithë dyshim, aq sa nisi të më ofendonte. Ndër të tjera më shau ‘maskara’ dhe më tha që të shporresha që aty. U nxeha tej mase pse më ofendoi kur unë kisha shkuar në xhami, ndërsa m’u afrua duke më shtyrë që të dilja jashtë. U acarova shumë dhe e godita me grusht. Plaku u shtri përdhe, por kur ra mbi tapet, i rrëshqiti një biçak nga poshtë brezit prej leshi. Ky biçak i mbante lidhur brezin me pantallonat e gjera. Tentoi që të ngrihej dhe të merrte biçakun për të më goditur mua, ndërkaq i ranë pantallonat. Nuk e di se si, por dola nga binarët, mora biçakun para se ta kapte ai, dhe nisa ta pres në fyt. Nuk e mbaj mend sa herë e qëllova. Kur pashë se po i dilte gjak, atëherë rashë në vete se çfarë bëra, por ishte tepër vonë. Erdhi dikush dhe më gjeti me plakun në dorë. Ia lashë atij dhe ika…”, ka dëshmuar ndër të tjera Arjan Alla lidhur me vrasjen e Shemshir Muçës. Sa i përket dëshmitarit që gjeti vrasësin e viktimën bashkë, Xhelo Zeqiri nuk e ka identifikuar menjëherë Arjan Allën si autor të krimit, për shkak se nuk e kishte parë prej gati dy dekadash.

Flet Xhelo Zeqiri, zbuloi i pari vrasjen e Shemshir Muçës
Shemshir Muça ishte njeriu me të cilin Xhelo Zeqiri takohej të paktën tri herë në ditë për 15 vjet rresht. I bashkonte shoqëria e hershme dhe falja në xhaminë e fshatit Dushk-Sektor, edhe pse për shkak të moshës nuk e kryenin dot ritualin e “pesë vakteve”.
Pasditen e së premtes ka qenë takimi i fundit i tyre, para se 86-vjeçari Shemshir Muça të jepte shpirt në duart e mikut të shtëpisë dhe të besimit, bashkëmoshatarit Xhelo Zeqiri. Pranë viktimës ndodhej edhe një tjetër burrë, që për shkak të hutimit dhe shikimit jo aq të mirë Zeqiri e ngatërroi për djalin e Muçës, por që në fakt kishte qenë vrasësi i tij. Se çfarë ndodhi mes tyre brenda xhamisë së fshatit, Xhelo Zeqiri, dëshmitari i vetëm i masakrimit të Shemshir Muçës, e rrëfen në intervistën për gazetën “Panorama”…

Ngushëllime për mikun tuaj! Ju kujtohet rreth çfarë ore ndodhi ngjarja?
Ishte ora diku te 16:15. Zakonisht ne të moshuarit, që jemi katër miq të vjetër, mblidheshim dikur rreth orës 16;25 për ta falur pasditen në xhami, por dje (të premten) shkova në orën që ju tregova, 16:15. Pra, isha pak më herët. Por e dija që atje mund të gjeja edhe Shemshirin dhe të llafosesha ca, sepse ai shkonte gjithnjë më herët. Kishte një problem shëndeti me prostatën dhe i duhej që të ishte para nesh në xhami. Dhe aty e gjeta, brenda në faltoren e xhamisë, veçse kishte qenë hera e fundit që do ta shihja gjallë. Llahtar, llahtar!

Duke qenë se ju jeni i pari që gjetët pa jetë 86- vjeçarin Shemshir Muça, me aq sa patë ju duket si vrasje apo vetëvrasje, siç u deklarua fillimisht nga Policia?
Vrasje, çfarë vetëvrasje flisni. Ishte vrasje dhe me thikë madje, kishte shenjën te fyti. Dhe unë e kam gjetur duke dhënë shpirt, jo pa jetë. Ishte në sekondat e fundit.

Ju tha ndonjë fjalë para se të ndërronte jetë?
Jo, nuk mundi dot të fliste. Vetëm një si rënkim, sikur po qante. Pa atë tjetrin, më pa mua dhe pastaj mbylli sytë, duke lëshuar trupin komplet.

Kush ishte “ai tjetri”?
Ehhhhhh. Kush ishte ai tjetri?! Ishte ai që e vrau. Kur u futa unë në xhami, e gjeta atë person duke e mbajtur Shemshirin te qafa dhe mendova se po i jepte ndihmë. Drejt të them, e ngatërrova me të birin e Shemshirit. U turbullova nga skena, nga gjaku dhe për shkak të moshës që kam, nuk është se e dallova mirë. Mendova se ishte djali i Shemshirit që e kishte gjetur të atin para meje… Ai e mbante kokën ulur mbi trupin e Shemshirit dhe unë vetëm bërtita: “Obobo, ç’është ky llahtar!”. Ai gjoja sikur po përpiqej t’i ndalte me duar gjakun që i dilte nga fyti, tha: “Ky mbaroi”. U çua në këmbë, më ktheu kurrizin dhe ia futi vrapit. Në këtë moment që vrasësi ia liroi fytin Shemshirit, pashë që miku im ishte therur dhe atëherë e kuptova që personi që u largua ishte masakruesi i tij.

E njihnit këtë person?
Jo, nuk e njihja. Nuk m’u duk se ishte nga fshati, sepse përgjithësisht i njoh. Por po të ma nxjerrë dikush para, mund ta njoh. 

Çfarë tiparesh kishte, e vutë re?
Po, ishte me flokë të çelur, biond. I kishte të shkurtra, anash dhe ca të fryra pjesa e ballukeve. Ballaboks i themi ne këtej. Ishte si i skuqur në fytyrë, tip kuqalashi. I rruar mirë në fytyrë dhe i mbushur. I bëshëm, por jo shumë i gjatë. Si moshë do të thosha ishte diku te 35-40 vjeç. Të paktën aq m’u duk mua. Mbaj mend edhe që kishte veshur xhinse blu dhe një triko apo bluzë vishnje. Nuk kam për ta harruar kurrë atë fytyrë që jo vetëm vrau mikun tim, por edhe u përpoq ta çnderonte deri në vdekje.

Ç’dëshironi të thoni me “çnderonte”?
A e dini se si ishte trupi i tij? Komplet i zhveshur nga mesi e poshtë. Më vjen shumë zor ta them por dukej gjithçka. Kokën ia kishte vënë nga perëndimi dhe duart ia kishte ulur poshtë, drejt, paralel e ngjitur me këmbët. Ne kur falemi kthehemi nga lindja dhe jo nga perëndimi. Nuk e di pse vrasësi e kishte vendosur ashtu. Ia kishte hequr rrobat, orën dhe unazën. Jam shumë i tronditur. Si për vrasjen, si për mënyrën se si e kanë vrarë.

Pse mendoni se e kanë vrarë mikun tuaj 86-vjeçar? A jeni në diejni të ndonjë konflikti të tij apo të familjes Muça.
Jua thashë që nuk e kam idenë pse e kanë vrarë. E kisha mik të vjetër, prej gati 15 vitesh, që kur u shpërngulëm nga Librazhdi dhe ndërtuam shtëpinë këtu në fshatin tonë. Nuk di të zgjedh dot fjalët më të mira për familjen Muça dhe sidomos për Shemshirin. Janë të miqësuar me të gjitha familjet në fshat. Asnjë lloj konflikti. Veç Allahut, që e lehtësoftë, e di të vërtetën.

(er.nu/Panorama/BalkanWeb) Lidhje te tjera Vrau në xhami 86-vjeçarin, autori: Plaku s’ishte besimtar, e thera në fyt

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›