E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja që në vitin 2005, ekstradohet djali i aktorit

Ekstradohet nga Italia djali i aktorit, një nga personat e dënuar në mungesë për vrasjen e Endri Koçisë në vitin 2005, pranë ATSH-së në Tiranë. Rubens Sela ishte arrestuar në Ankona të Italisë në bazë të një urdhri ndërkombëtar arresti të lëshuar për të nga drejtësia shqiptare. Policia bëri të ditur se rreth orës 12:00, Rubens Sela, 25 vjeç është ekstraduar nga Italia dhe iu dorëzua burgjeve, sepse gjykata e ka dënuar me dy vjet burg për moskallëzim krimi dhe armëmbajtje pa leje. Sipas policisë, Rubens Sela, është shpallur në kërkim në muajin shtator të vitit 2005, pas vrasjes së Endrit Koçisë, nga Endrit Qyqja pranë ATSH-së në Tiranë, pikërisht te vendi i quajtur "Mulliri i Vjetër". Pas vrasjes, Rubens Sela është larguar jashtë vendit, duke iu shmangur organeve të drejtësisë, ndërsa ka qëndruar gjatë kësaj kohe në Itali, kryesisht në Ankona në zonën e Falkonarës, ku edhe u arrestua nga policia italiane. Ai është ndaluar gjatë një verifikimi të policisë italiane, ndërsa djali i aktorit Fatos Sela, atyre iu është prezantuar me një emër tjetër nga ai i vërteti. Gjatë verifikimeve të kryera nga policia italiane, atyre u kanë lindur dyshimet se personi ishte në kërkim, ndërsa karakteristikat dhe të dhënat e tij i përafroheshin një personi të shpallur në kërkim me një vendim të Gjykatës së Tiranës. Arrestimi mësohet se është kryer në muajin prill të vitit 2008. Pas arrestimit, Interpol-Tirana u ka komunikuar kolegëve italianë se personi me të dhënat përkatëse që paraqitej në një foto të policisë italiane, ishte pikërisht i kërkuari. Për vrasjen e Endrit Koçisë janë dënuar nga Gjykata e Tiranës edhe Igli Selita dhe Lulëzim Ismaili. Ngjarja për të cilën është dënuar dhe arrestuar edhe Rubens Sela, ka ndodhur në shtator të vitit 2005, pasi viktima Endrit Koçia, bashkë me dy shokë të tjerë janë grindur me Juxhin Selën, vëllain e Rubensit. Në mbrëmje, Rubens Sela, së bashku me Lulëzim Ismailin, Igli Selitën dhe Endrit Qyqen kanë mbërritur pranë një lokali lojërash, ku vëllai i Rubensit ishte zënë me shokët e Endrit Koçisë. Sapo Rubens Sela dhe shokët e tij kanë mbërritur me dy makina të ndryshme, ata kanë filluar të grinden me grupin tjetër të personave që po qëndronin ulur në një bordurë. Viktima ka goditur Qyqen me mjete të forta dhe më pas ky e ka qëlluar për vdekje. Endrit Qyqja mbante një armë pistoletë, të cilën, sipas vendimit të gjykatës ia kishte marrë Rubens Selës, për të mos shkaktuar ndonjë problem. Në grindje e sipër me Endrit Koçinë, Qyqja qëlloi me armë në gjoks kundërshtarin e tij.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›