Superhajduti "Çengeli" bëhet edhe i dhunshëm
Duket se historitë me të miturin Markeljan C. nuk kanë të sosur. Ai është vetëm 12 vjeç dhe është personi që ka vizituar më shumë se të gjithë komisariatet e policisë së Tiranës. Por, shqetësim ngelet, se tashmë, ai nuk është vetëm një hajdut i rëndomtë, por është kthyer në kontingjent të rrezikshëm. Sipas policisë, ai ka filluar të bëhet i dhunshëm. Kështu ka vepruar edhe dy ditë më parë. Pikërisht rreth orës 18:30, ai ka ndjekur një vajzë 27-vjeçare dhe në një rrugë qorre, i ka marrë nga dora një "Lap-Top". Kompjuterin portativ e ka tërhequr me forcë e madje ka dashur të godasë vajzën. Menjëherë në Komisariatin Nr. 3 ka shkuar Albana G. 27 vjeçe, e cila ka rrëfyer ngjarjen për uniformat blu. Nga ana tjetër, policia ka nisur kërkimet, por ende nuk ka rënë në gjurmët e 12-vjeçarit. Sipas të dhënave, rreth 2 javë më parë, 12-vjeçari ka hyrë në një banesë, e kur është diktuar nga e zonja e shtëpisë, ai ka marrë një vazo dhe e ka goditur atë, për t‘u larguar. Sipas policisë, Markeljan Cungu, banues në lagjen "Allias" në Tiranë, është "vizitori" më i shpeshtë i qelive të komisariateve në kryeqytet. Markeljani ose siç e thërrasin shokët "Çengeli", për faktin se u vjedh telefonat qytetarëve nga xhepi, duke i tërhequr me gishtin e vogël të dorës, sapo i kthen kurrizin Komisariatit të Policisë, kur efektivat blu e zbulojnë për vjedhje, ai kryen sërish të njëjtin veprim. Markeljani nuk fshihet për t‘u shpëtuar prangave të policisë. "Unë e di që do më kapë policia dhe do të më lëshojnë përsëri, ndaj dhe nuk fshihem", është shprehur në një intervistë dhënë kohë më parë, firmën e të cilit mbajnë më shumë se 1000 vjedhje të ndodhura në kryeqytet. Banesat dhe motorët janë "shënjestra" e tij. "Unë nuk vjedh se kam nevojë për para, por vjedh se kam qejf. Të gjitha paratë që vjedh i shpenzoj brenda pak orësh", shprehet ai.