E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasje mafioze në mes të Tiranës, Konomi u qëllua me gjashtë plumba

Policia Sipas grupit hetimor, ngjarja dyshohet se ka ardhur për hakmarrje ose krime të tjera të kryera nga viktima

Dy persona me motor janë atentatorët e Franc Konomit, të cilët qëlluan me një pistoletë ndaj tij dhjetë herë, duke e lënë të vdekur. Ngjarja e rëndë ndodhi dje paradite, pikërisht rreth orës 11:40, kur i dyshuari si anëtar i bandës së rrugës “Bardhyl”, sapo kishte hipur në mjetin e tij, të parkuar, në rrugën “Luigj Gurakuqi”, pranë sheshit “Avni Rustemi” në Tiranë. Sipas dëshmitarëve okularë, një motor ka ardhur me shpejtësi dhe ka ndaluar pranë derës së mjetit, ku sapo kishte hipur 42-vjeçari. Të dy personat ishin me veshje motoçiklistësh dhe me skafandra në kokë. Pasagjeri ka nxjerrë një pistoletë dhe ka filluar të qëllojë ndaj Konomit, i cili sapo kishte ndezur makinën. Franc Konomi ka tentuar të bëjë mbrapsht me makinë, por ata kanë vazhduar të qëllojnë derisa mjeti ka ndalur në anë të rrugës, ngjitur me një furgon mallrash. Aty, autorët janë larguar me shpejtësi, duke u zhdukur mes rrugicave dhe duke humbur nga sytë e dëshmitarëve. Policia tha se menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit nr. 1, të cilat kanë rrethuar zonën dhe kanë shoqëruar disa dëshmitarë. Nga ana tjetër, Franc Konomi, i cili kishte mbetur i plagosur rëndë është dërguar për në spital, por ka ndërruar jetë rrugës. Burimet nga morgu thanë se Konomi ka marrë gjashtë plumba në pjesë të ndryshme të trupit nga dhjetë që janë qëlluar. Sapo policia ka marrë të dhënat e para, ia ka shpërndarë të gjitha shërbimeve, që kanë rrethuar zonën, por pa rezultat. Sipas policisë, grupi hetimor aktualisht po punon në disa pista, duke u nisur edhe nga fakti që viktima ka qenë person me precedentë penalë. Policia shtoi se në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një sërë provash materiale, të cilat do të shërbejnë për zbardhjen e plotë të saj. Aktualisht, strukturat e Hetimit të Policisë së Tiranës dhe më konkretisht specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, po punojnë për zbardhjen tërësisht të rrethanave dhe motivet e kësaj ngjarjeje, që do të çojnë në drejtim të kapjes së autorëve. Policia shtoi se krimi ka lidhje me të kaluarën e Konomit, pasi ka qenë i dyshuar për vrasjen e Gaz Muçës dhe për gjobëvënie. Megjithatë, nga gjykata ka dalë i pafajshëm.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›