PD dhe PS, lobim intensiv në Strasburg
Deputetë të Parlamentit shqiptar dhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, kanë qenë prezentë dhe kanë asistuar debatin e zhvilluar në Parlamentin Europian, ku edhe u miratua një dokument i posaçëm për Shqipërinë. Opozita dhe mazhoranca kanë qenë të përfaqësuar në këtë seancë si vëzhgues të procesit, prej nga ku jo vetëm u formalizua një qëndrim politik i Parlamentit Europian, por edhe u konkretizua një debat që ka në prapavijë një seri negociatash. Nga ana e opozitës, në këtë delegacionin merrnin pjesë Taulant Balla dhe Arben Ahmetaj. Ndërsa ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, deklaroi pas miratimit të rezolutës se ky është një moment gëzimi për të gjithë, duke qenë se i hap rrugë integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Kjo është një rezolutë e cila rikonfirmon mbështetjen e parlamentarëve europianë për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe liberalizimin e vizave brenda vitit 2010”, theksoi Bregu nga Strasburgu. Ministrja e Integrimit deklaroi se mes eurodeputetëve ka pasur një gjuhë bashkëpunimi, duke u gjetur konsensus mes të majtëve dhe të djathtëve të PE-së. Bregu theksoi se tani ka ardhur momenti për të bashkëpunuar mes partive politike në vend për reformat që i duhen vendit.
#