MB: Procesi i pajisjes me letërnjoftime elektronike po ecën shumë mirë
Vendimi i fundit i qeverisë për kompensimin financiar të disa kategorive të caktuara ka dhënë rezultatin e pritshëm. Këtë deklaratë e ka dhënë Ministria e Brendshme, sipas së cilës masat lehtësuese të qeverisë kanë nxituar procesin. Ndër të tjera Ministria e Brendshme siguron se procesi i pajisjes me karta identiteti, do të përmbushet brenda afateve të parashikuara, duke hedhur poshtë në këtë mënyrë, pretendimin e opozitës se vonesat në zgjidhjen e çështjes së kartave, mund të shënojnë frakturën përfundimtare dhe aksidentin final të shkatërrimit të zgjedhjeve.
Procesi i pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime elektronike, sipas zëdhënësit të kësaj ministrie, Fatmir Konja, po ecën shumë mirë, ku veçon faktin se numri i aplikimeve në ditë në të gjithë vendin ka shkuar në 17 mijë. Ne konsiderojmë, se vendimi më i fundit, i qeverisë se kompensimi financiar për disa kategori të caktuara ka dhënë rezultatin e pritshëm. Tashmë kemi kapur pothuajse maksimumin e aplikimit ditor për letërnjoftime elektronike duke shkuar në 17 mijë aplikime në ditë. Deri më 21 prill 2009 kanë aplikuar për letërnjoftime elektronike në rang vendi 600 mijë qytetarë, janë prodhuar 470 mijë letërnjoftime elektronike, kemi të prodhuara letërnjoftimet elektronike për aplikimet e kryera nga qytetarët deri në datë 10 prill 2009, ka theksuar zëdhënësi Konja. Duke përfituar nga rasti, ai u ka bërë thirrej edhe një herë qytetarëve të paraqiten në qendrat e aplikimit për tu pajisur me letërnjoftime elektronike dhe për të vijuar të njëjtin ritëm aplikimi ditor pasi sipas tij në këtë mënyrë garantohet edhe suksesi i këtij procesi.