E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasjet në emër të Kanunit, në 20 vite, 5700 viktima

Thirrje për jetën', e ka quajtur Dekretin e Kishës Katolike për shkishërimin, Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Angelo Masafra. Gjakmarrja, kjo plagë e rëndë e shoqërisë shqiptare, ka qenë në qendër të një aktiviteti-homazh të organizuar nga një grup organizatash joqeveritare në Shkodër. Krerë të Kishës Katolike, por edhe të afërm të viktimave, kanë kujtuar Pastorin Dritan Prroni, në 2-vjetorin e vrasjes së tij. Arqipeshkvi Angelo Masafra, ka bërë apel që shteti të japë dënime maksimale ndaj atyre që vrasin. "Policia dhe shteti kanë një rol të pazëvendësueshëm, ndaj duhet të marrin masa ndaj këtij fenomeni",- u shpreh ai. Ndërkohë, në përvjetorin e dytë të vrasjes së bashkëshortit të saj, Dritanit, Elona Prroni ka kërkuar luftë ndaj gjakmarrjes, ashtu si edhe Pastori i vrarë u mundua ta luftonte. Pjesë e këtij aktiviteti ishin drejtues të komuniteteve fetare, konsulli i Italisë, përfaqësues të OSBE-së, Policisë, Prefekturës. Sipas të dhënave zyrtare, në 20 vjet, në vendin tonë janë kryer 5200 vrasje në emër të gjakmarrjes.
Arqipeshkvi
Me moton "Gjakmarrja, një plagë ende e pambyllur", 'Aleanca për Jetën' ka bërë homazhe për viktimat nga gjakmarrja. Me tone të forta, Arqipeshkvi i Shkodër, Pult Imzot Angelo Masafra ka kërkuar që zërat e të gjithëve të bashkohen në një qëllim. Ai e ka quajtur Dekretin e Kishës Katolike për shkishërimin e atyre që vrasin, një thirrje për jetën. "Ne nuk jemi penduar, përkundrazi, jemi të bindur se kemi bërë veprimin e duhur. Por kërkojmë që shteti të bëjë detyrën e tij", - është shprehur Imzot Angelo Masafra. Ai ka apeluar që të ketë dënim përjetë për ata që vrasin. "Nuk duhet të lejohen që të rinj, adoleshentë apo kushdo qoftë, të lëvizin në qytet me armë zjarri. Duhet të vendoset pa hezitim dhe shumë shpejt dënimi me burgim të përjetshëm për të gjithë ata që kryejnë vrasje", - ka deklaruar Arqipeshkvi.
Bashkëshortja e Pastorit
Dy vjet më parë, vrasjet për gjakmarrje nuk kursyen as njeriun e fesë, Pastorin Dritan Prroni, i cili u vra në mes të ditës në qendër të qytetit të Shkodrës. Bashkëshortja e të ndjerit, Elona Prroni theksoi se duhet të luftohet mentaliteti mesjetar. "Vetëm nëse largohet mentaliteti i vjetër, ne mund të fitojmë mbi gjakmarrjen. Nuk duhet të ketë më fëmijë që jetojnë pa prindërit e tyre për shkak të gjakmarrjes. Askush nuk ka të drejtë të marrë jetë njerëzish",- është shprehur Elona Prroni. Ajo ka kujtuar se dhe bashkëshorti i saj Dritani, u mundua të luftojë gjakmarrjen. 
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›