E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrau 4 vjet më parë, 18 vjet burg për ish-oficerin e BRISK-ut



I akuzuar për vrasjen e një emigranti disa vite më parë, deklarohet fajtor nga organi i akuzës dhe kërkohet dënimi me 18 vjet burg për ish-oficerin e BRISK-ut, Arian Avdo. I pandehuri akuzohet se për shkak të disa konflikteve të vjetra ka qëlluar me armë zjarri Dorian Vuçiternën, ndërkohë që ka mbetur edhe vetë i plagosur rëndë. Gjyqi ka vijuar përgjatë këtyre viteve me procedurë të zakonshme, ku janë thirrur për të dëshmuar një numër i madh dëshmitarësh, mes të cilëve edhe dëshmitari okular i skenës së krimit, Milazim Shehu. Pavarësisht debateve mes dy kolegëve për këtë ngjarje, dëshmitari Shehu ka dhënë versionin e tij të fakteve për ngjarjen e rëndë. Sipas tij, ditën e ngjarjes ka qenë në lokal së bashku me viktimën. Sipas Shehut, Dorian Vuçiterna ka folur disa herë në telefon me të pandehurin Arian Avdo. Më pas, viktima i ka thënë dëshmitarit se duhej të shkonte të takonte patjetër Arian Avdon tek reparti, sepse po e priste. Viktima i ka kërkuar dëshmitarit makinën, por ky i fundit i është përgjigjur se nuk mund ta linte vetëm dhe duhej ta shoqëronte patjetër. Dëshmitari tha dje se të dy kanë shkuar tek reparti. Më tej në dëshminë e tij, Milazim Shehu ka deklaruar se kur kanë mbërritur atje, Arian Avdo i ka thënë të mos ngatërrohej në këtë punë, sepse do të vriste Dorian Vuçiterrnën. “Ne vajtëm atje. Unë zbrita i pari nga makina, më pas zbriti edhe Dorian Vuçiterna që ishte shoku im. Unë pashë që Ariani kishte mbledhur pistoletën me tuta sporti dhe sapo pa Dorianin, qëlloi mbi të nëntë herë. U sula me vrap e kapa dhe e qëllova me grusht, duke i thënë çfarë po bënte. Aty e vura në tokë dhe i mora pistoletën, duke i hequr karikatorin. Por në momentin që unë hoqa karikatorin, pistoleta kishte edhe një fishekë në gojë. Ky ka qenë momenti kur Ariani e ka shkrepur për të më qëlluar, por i ra vetes”, - ka treguar Milazimi. Por, i pandehuri ka reaguar duke e akuzuar dëshmitarin si gënjeshtar dhe se Milazim Shehu me viktimën i kishin ngritur kurth për ta vrarë dhe se ka qenë pikërisht ai që e ka qëlluar atë.

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur në muajin prill të vitit 2004 në hyrjen kryesore të Repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë BRISK-u, në Tiranë. Oficeri i këtij reparti, Arian Avdo, ka qëlluar me pistoletë Dorian Vuçiternën, me të cilin kishte pasur një konflikt disa vite më parë. Edhe pse nuk ndodhej në shërbim, 28-vjeçari Avdo u ndodh në vendin e gabuar, ku u përball me Vuçiternën, i cili sapo ishte kthyer nga Italia. Ky i fundit kishte shkuar për të zgjidhur problemin që kishte oficeri me bashkëshortin e motrës. Motra e Avdos, sipas burimeve, ishte martuar për herë të dytë dhe burri i saj kishte një vajzë. Kjo e fundit kishte të dashur emigrantin Dorjan Vuçiterna, i cili kishte shkuar të zgjidhte problemin e babait të vajzës që donte, pasi ai i kishte kërkuar motrës së oficerit divorcin. Mosrënia dakord me këtë kërkesë të bashkëshortit, ka bërë që motra t’i kërkojë ndihmë vëllait, Arianit, i cili ishte i gatshëm të ndihmonte motrën. Por për të zgjidhur këtë problem, burri i motrës nuk kishte ardhur vetë për të takuar oficerin, por kishte dërguar të dashurin e vajzës, Dorian Vuçiternën. Ky i fundit kishte shkuar për të takuar oficerin së bashku me shokun e tij, i cili është edhe dëshmitari kryesor i vrasjes së emigrantit dhe plagosjes së Arian Avdos.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›