Mrekullia amerikane
Uashington D.C., 20 janar 2009
Kombi amerikan përjetoi dje një ditë historike, një ditë që shumë breza amerikanësh as nuk e kishin imagjinuar. Amerika ka bekuar dje, pas zgjedhjeve presidenciale të 4 nëntorit 2008, Presidentin e parë afrikano-amerikan, duke shënuar njëkohësisht edhe realizimin e ëndrrës së shumë brezave amerikanësh për barazi sociale dhe shoqërore, që nga koha e Luftës Civile (1861-1865) dhe deri tek heroi i luftës për barazi, dr. Martin Luter King. Por, atë që nuk e realizoi dot Martin Luter Kingu dekada më parë, e arriti Barak Obama në këtë dekadë të parë të këtij fillimshekulli dhe mijëvjeçari të ri. Dhe si për koincidencë Barak Obama u kurorëzua dje si President i 44-t i SHBA-së vetëm një ditë pas Ditës së Martin Luter Kingut, e cila në SHBA është festë zyrtare që nga viti 1986. Përmes ceremonive festive të filluara që ditën e shtunë dhe që kulmuan ditën e djeshme me ceremoninë presidenciale më madhështore të organizuar ndonjëherë në Uashington D.C., ku morën pjesë me qindra mijëra amerikanë, por edhe joamerikanë të ardhur nga vende të ndryshe, si dhe nën vëmendjen e gjithë botës, Barak Obama hyri në Shtëpinë e Bardhë për të drejtuar SHBA-në dhe politikën botërore për 4 vitet e ardhshme, vite të cilat parashikohet të jenë jo të lehta për të. Barak Obama, përmes një fjalimi që është pjesë e protokollit zyrtar të ceremonisë së betimit presidencial, dha shenja të qarta të një ndryshimi që mund të ketë politika amerikane, me qëllim përballimin e sfidave të brendshme dhe të jashtme në 4 vitet e ardhshme. Pas ceremonisë së betimit, Presidenti Obama firmosi në Kapitol Hill edhe dekretin e parë presidencial që miraton kabinetin e tij qeveritar, një kabinet miks, ku spikat përfshirja në kabinet e ish-konkurrentes më të fortë në garën presidenciale brenda Partisë Demokratike, Senatores së Nju Jorkut Hillari Klinton, e cila do të mbajë postin shumë të rëndësishëm të Sekretares së Shtetit dhe e republikanit Robert Gejts, i cili do të vazhdojë të mbajë postin e rëndësishëm të Sekretarit të Mbrojtjes. Edhe në këtë aspekt, Barak Obama tregoi edhe një herë vlerat e tij, duke ndjekur shembullin e ish-presidentëve amerikanë, Abraham Linkoln dhe Riçard Nikson, presidentë këta që dëshironin të ishin të rrethuar nga njerëz me vullnet të fortë, por edhe që të kishin kurajon për të mos qenë gjithmonë dakord me Presidentin. Historia e Barak Obamës filloi në vitin 2004 me fjalimin historik që do të mbante në Konventën e Demokratëve në Boston, konventë e cila do të mandatonte kandidatin demokrat për President, senatorin Xhon Kerri. Në këtë konventë, Barak Obama u bë i famshëm me moton e tij: “Nuk ka Amerikë të zezë, nuk ka Amerikë të bardhë, por ka Shtete të Bashkuara të Amerikës”, moto e cila përmbante në vetvete edhe thelbin e filozofisë së Martin Luter Kingut, shprehur më së miri në fjalimin e mbajtur në Uashington D.C. në vitin 1963, fjalim ku dhe lindi slogani i famshëm: “Unë kam një ëndërr”. Ndërsa 4 vjet më vonë, pas një fushate të gjatë dhe një konkurrence shumë të fortë, sidomos me senatoren Klinton, do të ishte radha e Barak Obamës që të nominohej për President të SHBA-së, nominim që do të bëhej në gusht 2008 nga Konventa e Demokratëve në Denver. Fushata brenda Partisë Demokratike tregoi edhe një herë se sa demokratike janë partitë në SHBA dhe sa civile zhvillohen fushatat edhe brenda partisë. Edhe përballë senatorit republikan Xhon Mekejn, Barak Obama zhvilloi një fushatë brilante, gjë që çoi Obamën në rezultatin e shkëlqyer të zgjedhjeve të 4 nëntorit 2008, një ndër rezultatet më të mira të historisë së zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Natyrisht që në fitoren e thellë të Obamës ka ndikuar edhe kriza ekonomike me të cilën po përballet Amerika si dhe konsumimi 8-vjeçar i pushtetit të republikanëve. Fushata elektorale, procesi zgjedhor, pjesëmarrja e qytetarëve amerikanë në votimet e 4 nëntorit si dhe vetë rezultati i zgjedhjeve, treguan edhe një herë se shoqëria amerikane mbetet një shoqëri e hapur dhe demokratike, një shoqëri e emancipuar dhe pa paragjykime. SHBA-ja tregoi edhe një herë se mbetet vendi i lirive dhe besimeve të mëdha dhe i mundësive të jashtëzakonshme, vendi ku të gjithë qytetarët janë të barabartë dhe gjithçka është e mundshme të arrihet. Edhe tranzicioni paqësor, transparent dhe shumë mirë i organizuar i pushtetit nga Bushi tek Obama, në periudhën nga zgjedhjet e 4 nëntorit deri ditën e djeshme, tregoi përsëri vlerat e demokracisë së konsoliduar amerikane. Ceremonia dhe betimi i djeshëm i Barak Obamës mbylli një epokë për të hapur një epokë të re në historinë amerikane, një epokë që përbën një pasurim dhe konsolidim të mëtejshëm të demokracisë amerikane, duke e shndërruar atë edhe një herë në një model botëror, që mund të shërbejë për shumë vende, sidomos për demokracitë e reja dhe për vendet në tranzicion. Kjo është mrekullia amerikane, nga e cila duhet të mësojnë të gjithë politikanet kudo që janë.