E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE: Do të fillojmë menjëherë procedurat për të dhënë opinionin

 

Komisioni Evropian mirëpriti vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian dhe do të fillojë menjëherë procedurat për përgatitjen e opinionit. Në deklaratë për median zyra e KE-së në Tiranë thekson se: “Ky proces do të bëhet në bazë të përgjigjeve që Qeveria shqiptare do t’i japë një Pyetësori prej më shumë se 2000 pyetjesh mbi aftësinë e vendit aplikues, për të përmbushur kriteret e anëtarësimit të Kopenhagës. Në bazë të rekomandimit të Komisionit Evropian, Këshilli i Bashkimit Evropian do të vendosë nëse do t’i japë apo jo statusin e kandidatit vendit aplikues”. “Në raportin e Progresit më të fundit të Komisionit Evropian nënvizohet se Shqipëria vazhdon të përparojë përsa i përket kriterit politik sipas Partneritetit Evropian dhe se ajo ka vënë në zbatim si duhet Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Vendi duhet të ecë përpara në veçanti përsa i përket vendosjes së shtetit ligjor, luftës kundër korrupsionit, si edhe funksionimit siç duhet të institucioneve shtetërore, veçanërisht pavarësinë e gjyqësorit. Kapacitetet administrative dhe zbatuese duhet të forcohen më tej”, thuhet në deklaratën e Lohan. Konkluzioni i miratuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian risolli në vëmendje konsensusin e rikonfirmuar për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian siç edhe u shpreh në konkluzionet e Këshillit Evropian më 2006. Në të nënvizohet edhe një herë se përparimi i secilit vend drejt Bashkimit Evropian varet nga përpjekjet individuale për të plotësuar kriterin e Kopenhagenit dhe kushtet e procesit të Stabilizim Asociimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›