E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrau berberin për një celular, në gjyq prostituta dhe endacaku

TIRANE - Një endacak dhe një prostitutë kanë përfunduar në gjykatë nën akuzën e "vjedhjes me pasojë vdekjen", vepër penale kryer ndaj berberit durrsak, Gëzim Shullani, më tre mars të këtij viti. 

Dosja në ngarkim të Petrit Lazaj dhe Albana Zenelaj iu nënshtrua dje procedurave të shortit elektronik në Gjykatën e Tiranës ku u përzgjodh trupi gjykues që do e shqyrtojë atë. Sipas prokurorisë, ngjarja ka ndodhur natën e dy marsit të këtij viti, në rrugicën pas godinës së vjetër të ish-ambasadës jugosllave në Rrugën e Durrësit, ndërsa banorët e lagjes kishin gjetur në mëngjes një person të vdekur dhe pranë tij një pellg gjaku që i kishte rrjedhur nëpërmjet një plage në kokë. Pas kryerjes së hetimeve paraprake ka rezultuar se viktima ishte qëlluar me send të fortë, çka i kishte sjellë vdekjen e menjëhershme. Pas kësaj policia nis hetimin dhe zbardh të gjithë ngjarjen. Sipas prokurorisë, Albana Zenelaj, e cila shfrytëzohej si prostitutë nga endacaku Lazaj, e josh viktimën duke i ofruar seks për 10 mijë lekë të vjetra. Ajo i kërkon atij të kalojnë në rrugicën pas godinës, ndërsa bashkëpunëtori i saj po qëndronte i fshehur e qëllon me hekur në kokë. Pasi sigurohen për vdekjen, Zenelaj dhe Lazaj i rrëmbejnë viktimës një shumë parash që kishte në xhep si dhe celularin, të cilin e shesin 25 mijë lekë të vjetra në treg ditën tjetër dhe paratë i ndajnë së bashku. Gjatë hetimit të çështjes, të dy personat kanë mbajtur qëndrim pohues ndaj akuzës duke pranuar atë, ndërsa rrezikojnë dënime që mund të shkojë deri në burg të përjetshëm.                                    fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›