E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e avokatëve, “Gërdeci” e mbyll vitin 2011 me zvarritje

Procesi për tragjedinë e Gërdecit hyn në vitin e katërt, me një seri seancash të shtyra për shkak të mungesës së avokatëve

Tiranë Procesi ndaj 29 të akuzuarve si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit nuk ka përfunduar as për këtë vit, edhe pse dosja penale në ngarkim të të pandehurve është dorëzuar në Gjykatën e Tiranës në qershor të vitit 2009. Me gjasë, ky proces i zvarritur për të paktën tri vite do të përfundojë në muajt e parë të vitit të ardhshëm. Shkak i shtyrjes së vazhdueshme të seancave gjyqësore është bërë mungesa e avokatëve mbrojtës, të cilët edhe pse kanë dijeni për orën dhe datën e zhvillimit të gjykimit, nuk paraqiten në seancë, madje dhe pa asnjë arsye. E njëjta situatë ka qenë edhe gjatë seancës së djeshme, kur një pjesë e mirë e avokatëve nuk ishin të pranishëm në seancë. Kjo fazë e procesit është konsideruar tepër e rëndësishme dhe e lidhur drejtpërdrejt me praninë e avokatëve, pasi procesi ndaj 29 të pandehurve është në fazën e dëgjimit të konkluzioneve përfundimtare nga ana e avokatëve mbrojtës. Edhe pse kanë kaluar disa muaj nga dhënia e pretencës së prokurorisë, e cila kërkoi tri burgime të përjetshme për tre të pandehurit kryesorë të procesit, një pjesë e mirë e avokatëve ende nuk kanë dhënë konkluzionet në mbrojtje të klientëve të tyre. Në këto kushte, gjykata ka vendosur shtyrjen e vazhdueshme të seancave derisa mbrojtësit të paraqiten për të kundërshtuar akuzën e prokurorisë ndaj të pandehurve. Por kjo situatë vazhdon të zvarrisë procesin për tragjedinë e Gërdecit për më shumë se një muaj, pasi disa prej avokatëve nuk paraqiten fare në seancat gjyqësore, duke sfiduar kështu gjykatën, e cila nga ana e saj nuk mund të kërkojë masa disiplinore për avokatët që bëhen pjesë e zvarritjes së pafund të procesit. Deri tani, gjykata ka dëgjuar mbrojtjen e 16 nga 29 të pandehurit, ndërsa pritet që mbrojtja e të akuzuarve kryesorë, Delijorgji dhe Pinari, të bëhet vitit që vjen. Dosja ‘Gërdeci’ është regjistruar në Gjykatën e Tiranës më 11 qershor 2009 dhe deri dje janë zhvilluar mbi 150 seanca gjyqësore. Tragjedia e rëndë më 15 mars 2008 ndodhi në një fabrikë të demontimit të municioneve, 15 km larg nga Tirana. Shpërthimi i fuqishëm u mori jetën 26 personave, 300 të tjerë u plagosën dhe qindra godina të banorëve dhe bizneseve u dëmtuan. L.Bakillari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›