Vrau djalin pse shkoi në dasëm, burg pa afat 65-vjeçarit

Vrau me armë zjarri djalin e tij pse shkoi në dasmën e kushërirës si dhe plagosi tre persona të tjerë, ndërkohë që sot është përballur me togat e zeza në seancën e parë në ngarkim të tij, atë të cilësimit të ligjshëm të ndalimit dhe vendosjes së masës së siguris.
Yzeir Cjapi, 65-vjeç, banor i fshatit Arrëz, në komunën Poshnje të rrethit të Beratit u njoh sot nga Gjykata e Shkallës së Parë, me masën e sigurisë. Ashtu si dhe gjatë marrjes në pyetje pas arrestimit, por dhe sot në seancën e parë në ngarkim të tij, 65-vjeçari mësohet se nuk ka shfaqur asnjë lloj pendese në lidhje me ngjarjen.
Ai ka pranuar akuzën e vrasjes së djalit të tij dhe plagosjen e tre personave të tjerë. Përfaqësuesi i organit të akuzës Gentian Abazi i kërkoi sot trupit gjykues cilësimin e ligjshëm të arrestimit të autorit si dhe vendosjen e masës së sigurisë “burg pa afat`" duke paraqitur një sërë provash dhe dëshmish në lidhje me ngjarjes.
Më pas, kryetarja e trupit gjykues Mariana Velçani vendosi të cilësojë si të ligjshëm ndalimin e 65-vjeçarit dhe vendosi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” me akuzat “vrasje me dashje”, “vrasje me dashje e mbetur në tentativë”.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së shtunës së kaluar, ku Cjapi qëlloi me armë zjarri tip, çifte djalin e tij pas një grindje për shkuarjen në dasmën e kushërirës, pa miratimin e tij, ndërkohë që la të plagosur kunatin Murat Bani, bashkëshorten Safigje Bani si dhe të afërmen Sofije Kumaraku.