E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau hasmin, 23 vjet burg të riut shkodran

 

TIRANE - Krimet e Rënda dënuan dje me 23 vjet burg në mungesë të riun shkodran Bardhyl Rustemi, pasi e gjetën fajtor për vrasjen e bashkëqytetarit të tij Lec Manjishta. Më parë kjo gjykatë e kishte dënuar me 24 vjet burg, vendim të cilin e la në fuqi edhe Shkalla e Dytë, por Gjykata e Lartë e prishi vendimin pasi gjeti në shkelje procedurale. Pas kësaj, çështja u rikthye në Shkallë të Parë ku u rigjykua sërish në mungesë të pandehurit. Organi i akuzës kërkoi të njëjtin dënim rreth dy muaj më parë, ndërsa mbrojtja e të pandehurit, pafajësi. Bardhyl Rustemi akuzohet për dy vepra të rënda të kryera në bashkëpunim me një person tjetër, ende të paidentifikuar. Sipas gjykatës, ngjarja e ka fillesën në vitin 1992, kur Ardian Majnishta kishte qëlluar me thikë xhaxhain e të pandehurit Ruzhdi Rustemi duke e lënë të vdekur. Kjo ka qenë arsyeja që nipi i viktimës vendosi të hakmerret 11 vjet më vonë duke vrarë në qendër të Shkodrës më 12 janar 2003 Lec Majnishtin, vëllain e Ardianit, si dhe ka plagosur shokun e tij Sokol Selmanin. Pas vendimit mbrojtja e të pandehurit u shpreh se, do e apelonte atë në kërkim të pafajësisë. f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›