Vrau kolegun, dënohet me 16 vjet burg ish-polici i Shkodrës
TIRANE Gjykata për Krimet e Rënda dënoi dje me 16 vjet burg një ish-efektiv të Policisë së Shkodrës, të akuzuar për vrasjen e një kolegut të tij. Një pesëshe gjykuese e Krimeve të Rënda i dha fund dje shqyrtimit gjyqësor në ngarkim të të pandehurit Ramiz Ademi, të akuzuar për vrasjen e efektivit të Policisë së Shkodrës, Ton Jakini. Gjykata vendosi deklarimin fajtor për vepren penale të vrasjes me dashje dhe dënimin e tij me 16 vjet burg, thuhej në dispozitivin e vendimit të Gjykatës. Ngjarja për të cilën u deklarua fajtor i pandehuri Ramiz Ademi u shënua më 18 maj të vitit 2010, pranë godinës së Komunës Bushat në Shkodër. Sipas hetimeve të Prokurorisë për Krimet e Rënda, i pandehuri Ademi këtë ditë ishte konfliktuar me kolegun e tij, viktimën Jakini, për shkak të vonesës në orarin e marrjes së shërbimit pranë komunës. Për shkak se kolegu i tij ka ardhur me vonesë, ata kanë shkëmbyer fillimisht fjalë ofenduese mes njërit-tjetrit. Sherri ka precipituar më pas në përleshje fizike mes të dyve. Po sipas Prokurorisë, dy persona të tjerë të ndodhur pranë tyre janë futur për të ndarë dy efektivët e policisë që po grindeshin. Ata kanë mundur ti ndajnë nga njëri-tjetri, por nuk kanë mundur të shuajnë grindjen mes policëve. Në këtë moment, teksa ka parë efektivin Ton Jakini ti afrohej, efektivi Ramiz Ademi ka qëlluar me armë drejt tij, duke i shkaktuar vdekjen.
Kualifikimi
Në vendimin përfundimtar dhënë ndaj tij, Gjykata për Krimet e Rënda ndryshoi kualifikimin e veprës penale ndaj të pandehurit Ramiz Ademi. Prokuroria për Krimet e Rënda e akuzonte Ademin për vrasje në rrethana të tjera cilësuese. Dje gjykata e deklaroi atë fajtor për veprën penale të vrasjes me dashje.