E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dokle: Të garantojmë kufijtë për lëvizjen e lirë

26/10/2004  Zëvendëskryeministri Namik Dokle tha dje se strategjia e Shqipërisë për migracionin është e lidhur ngushtë me luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe kontrollin dhe menaxhimin e kufijve. Këtë qëndrim, Dokle e ka thënë në mbledhjen e Komitetit Ndërministror për Migracionin, ku është diskutuar mbi Strategjinë Kombëtare të Migracionit. Vetëm pak ditë më parë, komisioneri i BE-së, Reinhard Priebe, është shprehur se lëvizja e lirë ndikon shumë nga garantimi i kufijve shtetërorë. Ndërsa shpesh dhe funksionarë shqiptarë kanë deklaruar se nga garantimi i kufijve garantohet dhe besueshmëria e integritetit të shqiptarëve. Sipas Dokles, “kjo strategji plotëson një nevojë të rëndësishme të zhvillimit të vendit dhe është në zbatim të programit të Qeverisë shqiptare”. Emigracioni në Shqipëri përbën rreth 20% të popullsisë së larguar gjatë një dekade drejt vendeve të BE-së, ndaj dhe strategjia cilësohet tejet e rëndësishme. Menaxhimi i flukseve të emigracionit është pjesë përbërëse e Procesit të Stabilizim- Asociimit, ku Shqipëria po zhvillon negociata. Në draftin e diskutuar dje trajtohen probleme tepër të kritikueshme për Shqipërinë, si lufta kundër emigracionit të parregullt, mbrojtja e të drejtave të emigrantëve jashtë vendit, ngritja e komuniteteve shqiptare dhe bashkëveprimi i tyre, orientimi i të ardhurave nga emigrantët në investime në Shqipëri, ndërtimi i politikës së migrimit të përshtatshëm për punësim, lehtësira lëvizjeje të shtetasve, miratimi i kuadrit të nevojshëm ligjor dhe ngritja e strukturave përkatëse institucionale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›