E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ben Blushi dhe Luan Rama konkurrojnë për sekretarin e Marrëdhënieve me Publikun

26/10/2004  Partia Socialiste do të marrë sot në shqyrtim kërkesën për largimin e disa emrave nga Kryesia. Në bazë të formulës se një ministër nuk mund të ketë dhe funksione në parti, do të nisë dhe furtuna e ndryshimeve në partinë më të madhe në qeverisje. Në mbledhjen e Kryesisë do të paraqiten kandidaturat për postin e sekretarit të Marrëdhënieve me Publikun si dhe do të përcaktohet se ç'rol do të ketë zëdhënësi politik, një post që do të krijohet rishtazi nga socialistët.

Zgjedhjet

Burime në PS janë shprehur për "Metropol" se në këtë mbledhje do të shqyrtohen dy kandidaturat për postin e lënë vakant nga Bardhyl Agasi. Ministri i Pushtetit Vendor, Ben Blushi, do të ketë si rival për postin e sekretarit të Marrëdhënieve me Publikun ish- ministrin e Rendit, Luan Rama. Posti i sekretarit ka qenë vakant pas dorëheqjes së parevokueshme të Agasit. Dorëheqja e Agasit u pranua nga kreu i PS-së, Fatos Nano dhe nga anëtarët e KPD-së në mbledhjen e 2 tetorit. Ndërkohë që mbledhja e sotme e Kryesisë do të shqyrtojë të gjitha rezultatet e punës së komisioneve të Komitetit të Përgjithshëm Drejtues.

Ndryshimet

Mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste do të diskutojë sot mbi kërkesat e Erion Braçes dhe Petro Koçit për ndryshime në strukturën e PS-së. Burimet thanë se Koçi do të kërkojë në mbledhje ndarjen e postit të sekretarit të Përgjithshëm nga ai i Grupit parlamentar, si dhe shpalljen e emrit të kryeministrit para zgjedhjeve. Ndërsa vetë Erion Braçe, me anë të disa anëtarëve të Kryesisë, do të rikërkojë ndryshimin e disa anëtarëve të Kryesisë, të cilët së fundi kanë rezultuar ineficent në parti. Një kërkesë e tillë tashmë është transformuar në qëndrimin: një funksionar në qeveri nuk mund të ketë poste të larta në parti, pasi nuk jep 100 për qind në të dy detyrat. Burimet thanë se ndryshimet në kryesi mund të përfshijnë ministrin Spartak Poçi, Ermelinda Meksin, Luan Memushin dhe Et'hem Ruka.

KPD

Mbledhja e Kryesisë do të ketë detyrë vetëm të shqyrtojë në parim këto pika. Por do të jetë mbledhja e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues që do të marrë vendimet përfundimtare. Pritet që një pjesë e mirë e kërkesave t'i kalojë Kongresit të Partisë Socialiste, i cili do të mblidhet në janar të vitit 2005. Kjo për vetë faktin se disa pika kërkojnë dhe ndryshimin e statutit të PS-së. Burimet theksojnë se mbledhja e KPD-së do të jetë brenda dhjetëditëshit pas Kryesisë. Pas kësaj të gjithë deputetët e PS-së do të nisin takimet me elektoratin në bazë për të konkluduar Kuvendimin e Madh

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›