Pronësia mban peng rehabilitimin e muzeut

Muzeu i Durrësit
DURRES – Ndërtimi i magazinës së fondeve të muzeut arkeologjik të Durrësit është ndërprerë përkohësisht, për shkak të një pretendimi pronësie në truallin ku po ndërtohet godina. Burime zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Monumenteve bënë të ditur se punimet për ndërtimin e godinës njëkatëshe janë ndërprerë që prej disa ditësh, ndërsa pohojnë se janë në pritje të zgjidhjes zyrtare të pretendimit për pronësinë e truallit. Ngritja e magazinës ngjitur me godinën e Muzeut Arkeologjik të Durrësit ishte në hapat e parë të saj, ndërkohë që i hapte rrugën transferimit të objekteve të shumtë arkeologjikë në godinën e re. Burimet thonë se, ndërtimi bazohej në shkresat hipotekore, sipas të cilave, oborri rreth muzeut arkeologjik është një pronë shtetërore. Muzeu Arkeologjik i Durrësit po i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë të tij, me një fond prej 102 milionë lekësh nga qeveria shqiptare, dhe shpërngulja e objekteve të fondit nga kati i tretë i godinës drejt një magazine të re i shërben krijimit të hapësirave të reja të ekspozimit në muzeun më të madh arkeologjik të vendit. Financimi parashikon realizimin e projektit në prag të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit, por vonesat e shkaktuara kohët e fundit mund ta rrezikojnë përfundimin në afat të punimeve. Muzeu Arkeologjik është përuruar në vitin 2002 dhe në eksponatet e katit të parë janë vendosur mbi 2100 objekte të periudhës së antikitetit, deri në shekullin e katërt pas erës sonë. Projekti aktual parashikon rivitalizimin e dy kateve të sipërm të godinës, në të cilat do të ekspozohen objektet që datojnë në mesjetën e hershme, të mesme dhe të vonë, ndërsa në oborrin e muzeut do të sistemohen të gjitha objektet e mëdha si kapitele, kolona, objekte funerale, shtyllëza etj. l.m